“Edhe unë të publikoj”, nisma e veçantë e grave italiane, do të postojnë mesazhet fyese dhe seksiste që marrin nga burrat në rrjetet sociale

0
62

Në Itali nisi sot nisma “Edhe unë të publikoj”. Bëhet fjalë për një ide të ish-presidentes së Parlamentit italian, Laura Boldrini, e cila u mbështet nga shumë gra të tjera.

Tani e tutje ato do të postojnë mesazhet që marrin nga meshkujt, kryesisht, të cilët i ofendojnë në rrjetet sociale, me komente seksiste apo edhe fyese.

Ndër të tjera, këtë lëvizje të re e përkrahin këngëtaret si Emma Marone, Nina Gili, Ariza, si dhe ish-ministrja e Çështjeve Parlamentare, Maria Elena Boski.

Në këtë mënyrë të gjithë do të mund të shohin mesazhet dhe emrat e të ashtuquajturve “urrejtës”, njerëz që përdorin internetin për të përhapur mesazhe urrejtjeje dhe dhunë.

“Këto janë fjalë që në fytyrë mund të mos mavijojnë, por në fakt lëndojnë dhe bëjnë dëme të pariparueshme”, tha Boldrini.

Mediat italiane, ndërkohë, nënvizojnë se dhuna dixhitale i izolon gratë dhe në disa raste i sjell në dëshpërim të thellë. Përgjegjës janë edhe ish-partnerët që nuk pranojnë se ka ndodhur një ndarje dhe duan të hakmerren me femrat, ndonjëherë duke postuar foto personale. /abcnews.al