Ekonomi: Digjitalizimi i shërbimeve, e mira që qeveria u ka bërë qytetarëve, lehtësi e cilësi për ta

0
43

Ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi deklaroi sot se, “digjitalizimi i shërbimeve publike dhe ofrimi i tyre online për qytetarin është një nga investimet më të rëndësishme të qeverisë, që ka lehtësuar qytetarët nga barra e radhëve dhe procedurat burokratike”.

Gjatë prezantimit të arritjeve gjatë vitit 2022 dhe objektivat për vitin 2023, të ministrisë që ajo drejton, Ekonomi vuri në dukje se, “nga 1 Maji i vitit të kaluar të gjitha shërbimet publike administrative kaluan online. Sot kemi online 1227 shërbime q jepen nga 83 institucione dhe komunikojnë informacione mes 58 regjistrave”, tha ajo.

Sot theksoi Ekonomi, 95 % e shërbimeve që kanë nevojë qytetarët ofrohen online.

“Për të arritur deri këtu është bërë një punë shumë e madhe nga ADISA dhe AKSH-i që vendosi këto shërbime në platfomën e-Albania. Në këtë platformë (e-Albania) kemi 2.8 milionë përdorues nga të cilët 220 mijë janë biznese dhe u shënuan 8.5 milionë aplikime, nga të cilat 6.7 milionë aplikime kanë qenë dokumente me vulë elektronike dhe mesatarisht janë kryer 17 milionë transaksione në muaj”, theksoi Ekonomi.

Këto përparësi zhvillimi në digjitalizimin e shërbimeve e renditën Shqipërinë, nga institucionet ndërkombëtare në vendin 19 në botë dhe në vendin e 8 në Europë.

Ekonomi tha se Shqipëria ka sot një infrastrukturë të mbulimit të shërbimeve online në 99.9 % të territorit, ndërsa prioritet i punës do të jetë përmirësimi i cilësisë së ofrimit të shërbimeve online dhe zgjerimi i tyre edhe për shërbimet vendore.