“Elpida” paralizon Turqinë/ Kaos në autostradë, shoferët e bllokuar në rrugë

0
112

Vala e paprecedentë e motit të keq (Elpida) dhe reshjet e dendura të borës po shkaktojnë probleme të mëdha në Turqi, me meteorologët që parashikojnë një zgjatje të makthit në pjesën më të madhe të vendit.

Autoritetet kanë paralajmëruar për kushte ekstreme të motit në 33 qendra urbane në Turqi, duke përfshirë Stambollin, ku autostradat janë paralizuar që prej ditës së hënë nga dëbora.

Shoferët  e bllokuar kaluan natën në automjetet e tyre, të tjerët i braktisën për t’u kthyer në këmbë në shtëpitë e tyre.

Moti i keq bëri që shumë rrugë në të gjithë Turqinë të mbyllen, përfshirë autostradën ku mbetën të bllokuar ditë më parë mijëra njerëz.

Rrugët kryesore të Stambollit, duke përfshirë autostradën veriore që lidhet me aeroportin kryesor ndërkombëtar, si dhe autostradën E-5 që kalon lindje-perëndim përmes qytetit dhe rrugët për në kryeqytet, Ankara, u mbyllën gjatë natës.

Autoritetet thanë se mijëra shoferë mbetën të bllokuar në autostrada, me reshjet e borës që po rriteshin shpejt në orën e pikut ndërsa udhëtarët po ktheheshin në shtëpi. Guvernatori i Stambollit tha se 71 xhami ishin hapur për të siguruar strehim për ata të bllokuar në rrugët e qytetit.