A është vendi juaj i punës toksik? 57 studime thonë se fajin e kanë shefat e këqinj

0
121

Dëshironi të përmirësoni kënaqësinë tuaj në punë, përkushtimin, performancën dhe të nxisni qëndrimin e punonjësve në kompaninë tuaj? Hapi i parë është të merreni me shefat e këqinj.

Të gjithë kemi punuar të paktën një herë për një shef të keq. Ata ishin dembelë. Arrogantë. Të vrazhdë. Shembuj të shkëlqyer të efektit Dunning-Kruger. Ata do të kishin dështuar totalisht në pyetësorin e sjelljeve kryesore të menaxherëve të ekipeve të shkëlqyera që organizon Google.

Megjithatë, për disa arsye, askush në pozitë që mund të bëjë diҫka, nuk merret me këta shefa.

Kështu që ne mbetëm atje dhe bëmë më të mirën tonë, pavarësisht nga shefi ynë.

Por, a dhamë ne realisht më të mirën?

Sipas një studimi të vitit 2015 të publikuar nga Shkolla e Biznesit e Harvardit që analizoi të dhënat për afërsisht 60,000 punonjës, punësimi i një “superylli” – kështu konsiderohet një punonjës “në 1%-shin e më të mirëve” – do t’i kursejë kompanisë mesatare 5,303 dollarë.

Megjithatë, shmangia e një punonjësi “toksik” – kështu konsiderohet një punonjës që ” angazhohet në sjellje të dëmshme për një organizatë, duke përfshirë pronën ose njerëzit e saj” – do t’i kursejë kompanisë mesatare 12,489 dollarë.

Madje, kjo shifër nuk përfshin as “kursimet nga anashkalimi i proceseve gjyqësore, ndëshkimet rregullatore ose uljen e produktivitetit si rezultat i moralit të ulët”.

Me pak fjalë, është më mirë të pushoni nga puna një punonjës toksik sesa të gjeni dhe të punësoni një punonjës superyll.

E njëjta gjë vlen edhe për liderët. Sipas një meta-analize të vitit 2013 e cila mori në shqyrtim 57 studime të ndryshme të publikuara në The Leadership Quarterly, ndikimi negativ i krijuar nga një shef i keq tejkalon ndikimin pozitiv të krijuar nga një shef i mirë.

“Lidershipi destruktiv” ul ndjeshëm kënaqësinë e punonjësve në vendin e punës, përkushtimin dhe angazhimin e tyre, mirëqenien dhe performancën e përgjithshme.

Studiuesit shkruajnë: “Siç pritej, korrelacioni më i lartë është ai midis lidershipit destruktiv dhe sjelljeve ndaj liderit. Çuditërisht, korrelacioni tjetër më i lartë u gjet midis lidershipit destruktiv dhe sjelljes jo produktive në punë.”

Me fjalë të tjera, nëse shefi juaj është i keq, ju jo vetëm që do ta urreni atë, por ka të ngjarë që gjithashtu të filloni të veproni si ai.

Pavarësisht se sa shumë përpiqeni, punësimi i vazhdueshëm i liderëve të mirë është i pamundur. Siç thotë bashkëthemeluesi i Netscape, Marc Andreessen, “Nëse jeni shumë të kujdesshëm për procesin tuaj të punësimit, do të keni ende një mundësi suksesi prej ndoshta 70 për qind që një punonjës i ri të jetë vërtet i mirë – nëse jeni me fat”.

Pra, me çdo kusht, duhet të jeni të kujdesshëm dhe të matur kur merrni vendime për punësimin e personave të rinj.

Por jini akoma edhe më të kujdesshëm dhe të matur kur ju duhet të merreni me shefat e këqinj. Kjo do të bëjë një ndryshim shumë më të madh në mënyrën se si punonjësit tuaj ndihen kur vijnë në punë çdo ditë dhe sa mirë e bëjnë ata punën e tyre. Dhe kjo është diçka që nuk ishte nevoja t’jua thoshte shkenca.