Fillon Kampionati Botëror

0
120

E tillë kënga zyrtare e Kupës së Botës që nis sot në Katar, e krijuar për të përfshirë të gjithë botën në një vend kaq të vogël.

E këndojnë amerikania e lindur në Trinidad e Tobago, Niki Minaj, këngëtari kolumbian Maluma dhe këngëtarja e aktorja libaneze, Miriam Fares, ndërsa ceremonia e hapjes së Botërorit e parashikuar me nisje në 15:30, pritet të jetë një spektakël ashtu si ceremonitë e turneve të kaluar.

Natyrisht, vështirë të gjendej një vend më i ndryshëm sesa kultura perëndimore, diçka që krijoi debate që kur FIFA deklaroi se Katari fitoi të drejtën e organizimit duke mundur amerikanët në votim.

Me futbollin që ka qenë kryesisht çështje europiane apo amerikano-latine, një Kupë Botë në Lindjen e Mesme, ku sundojnë rregulla krejt të tjera nuk mund të mos krijonte polemika.

Mediat perëndimore, sidomos ato britanike, gjermane e të tjera kanë theksuar pabarazinë gjinore ku gratë nuk kanë arritur ende përfaqësim politik, dhe të drejta të njëjta me burrat.

Po ashtu, jehona është e madhe për shfrytëzimin e punonjësve që ndërtuan infrastrukturën e Kupës së Botës, me pagesa qesharake sipas raporteve, me kushte të vështira pune dhe me mijëra jetë të humbura, shumë prej të cilave të dokumentuara.

Gjithçka qëndron, ndonëse në Perëndim nuk e kanë pasur shumë problem kur këtë shfrytëzim e kanë bërë bizneset e tyre që kanë siguruar mall me çmim të lirë për konsumatorët në Europë apo Amerikën e Veriut.

Ndoshta, kjo ishte arsyeja që presidenti I FIFA-s, Xhani Infantino, i quajti kritikat perëndimore një “hipokrizi”.

Duke u kthyer tek futbolli, ndeshja e hapjes do të jetë ajo e Katarit vendas ndaj Ekuadorit në orën 17:00.

Dy ekipet zhvilluan seancat e fundit stërvitore dhe janë gati për duelin në stadiumin Al Bajit në Al Hor me kapacitet 60 000 vende që shpresohet të jetë plot.

Një përballje pa interesin maksimal, për hir të së vërtetës, pavarësisht respektit për dy ekipet, por e tillë ishte edhe ndeshja e hapjes katër vjet më parë, Rusi-Arabi Saudite në Moskë.