Gjykata e Posaçme ka shpallur vendimet për dënimin e të akuzuarve si pjesë e grupit kriminal që ka r
Pas më shumë se 3 vitesh nga grabitja së bujshme e milionave eurove brenda pistës së aeroportit të Rinasit, Gjykata e Posaçme shpalli vendimin përfundimtar për shtatë prej të akuzuarve për ngjarjen. Gjykata fajësoi të pandehurin Klement Çala për 4 vepra penale, mes të cilave “vjedhje me armë” dhe “grup të strukturuar kriminal” dhe e dënua me 20 vjet heqje lirie.
Për të njëjtat akuza, vëllai i tij Eldi Çala u dënua me17 vite burg. E njëjta masë dënimi u dha edhe për të pandehurit e tjerë të dosjes, përfshi edhe Alkond Bengasin, që gjatë hetimit të dosjes pranoi të bashkëpunonte me drejtësinë si i penduar. Por kur dosja kaloi në gjykim ai prishi marrëveshjen, duke pretenduar se rrëfimi në prokurori i ishte marrë në kushte presioni.
Për prokurorët e posaçëm, drejtues i grupit kriminal që ideoi dhe vuri në zbatim mega grabitjen në Rinas ishte Admir Murataj, i cili mbeti i vrarë ditën e ngjarjes gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë.
Si pjesë e të njëjtit grup kriminal dyshohet të ketë qenë edhe Talo Çela, i shumëkërkuar nga drejtësia, jo vetëm për grabitjen e Rinasit, por edhe për dy ngjarje kriminale me 4 viktima. Procesi ndaj tij u veçua dhe u pezullua me një vit, për shkak se vijon të jetë në kërkim.
Po ashtu, pas ngjarjes u arrestua edhe Ragip Hajdini, shtetas kosovar i njohur me nofkën “Daja”, çështja ndaj të cilit u pushua pasi ndërroi jetë gjatë hetimit të dosjes. Grabitja brenda aeroportit ndodhi në 9 prill 2019 nga persona që përdorën një fugon të modifikuar për të hequr dy blloqe betoni para një prej portave të rrethimit.
Të maskuar dhe nën kërcënimin e armëve, grabitësit morën milionat e eurove që po ngarkoheshin në bordin e një avioni dhe u larguan nga një tjetër portë e gardhit rrethues. 42 muaj pas ngjarjes drejtësia ka 7 të dënuar për grabitjen, por asnjë nga milionat e grabitur, që ende nuk janë gjendur.
Dënimet e dhëna nga Gjykata e Posaçme
Klement Çala: 20 vite burgim
Eldi Çala: 17 vjet burgim
Oltian Veseli: 17 vite burgim
Renaldo Sula: 17 vite burgim
Saimir Çela: 17 vite burgim
Elton Pikli: 17 vjet burgim
Alkond Bengasi: 17 vjet burg