Hiperhidroza (djersitja e shtuar) një problem madhor për shumë individë… A mund të trajtohet?

0
274

Djersitja luan një rol të domosdoshëm në procesin e termorregullimit pra të rregullimit të temperaturës së organizmit tonë.

Hiperhidroza ose djersitja e shtuar mbi nivelin e nevojshëm për këtë proces është një gjendje që mund të fillojë gjatë femijërisë ose adoleshencës.

Ajo mund të prekë çdo pjesë të lekurës, por është më e shpeshtë në zonat aksilare (sqetulla), pëllëmbët e duarve dhe shputat e këmbëve. Frekuenca e kësaj gjendje në SHBA dhe Britaninë e Madhe varion 1-1,6%, ndërkohë që nuk kemi të dhëna epidemiologjike për Shqipërinë.

Normalisht gjendrat e djersës aktivizohen nga faktorë të tillë si temperatura e lartë, ethet, aktiviteti fizik, ankthi, stresi… Kur këta faktorë mungojnë gjendrat e djersës qëndrojnë në qetësi.

Personat që vuajnë nga hiperhidroza djersiten dhe në situata kur faktorët e mësipërm mungojnë.

Keshtu ata djersiten dhe në ambjentet me ajër të kondicionuar, apo kur trupi i tyre është në qetësi, si kur lexojnë ose shohin Tv. Kjo gjendje shoqërohet me probleme të rëndësishme psiko-emocionale për personat që e kanë, probleme me vetëbesimin e deri paaftësi në punë.

Hiperhidroza mund të jetë:

-Primare (ose fokale) kur ajo lokalizohet zakonisht në aksila, kokë, pëllëmbët e duarve dhe shputat e këmbëve dhe nuk ka një shkak te njohur.

-Sekondare (e gjeneraizuar) kur karakterizohet nga djersitje e shtuar në zona më të gjera ose në të gjithë trupin.

Në këtë rast mund të lidhet me temperaturën e lartë, probleme të ndryshme shëndetësore ose si efekt anësor i medikamenteve.

Ndër gjendjet që shoqërohen me hiperhidrozë janë diabeti, hipertiroidizmi, menopauza, obeziteti, sëmundja e Parkinson, Artriti Rheumatoid, limfoma, podagra, sëmundje të ndryshme infektive. Identifikimi dhe trajtimi i shkakut shoqërohet me reduktim të djersitjes në këto raste.

Personat me hiperhidrozë primare janë mëse të shëndetshëm por ata vuajnë probleme të tjera si psh duhet të ndërrojnë disa herë në ditë veshjet, evitojnë përshëndetjen me dorë me miqtë e të afermit përshkak të djersitjes, kufizojnë aktivitetet sociale, ndihen keq në marrëdhëniet në cift, kanë probleme me të shkruarit për shkak të rrëshkitjes së stilolapsit nga djersa ose prishjes së shkronjave mbi letër nga djersa …

Pavarësisht impaktit të madh negativ që ka hiperhidroza, shumica e personave që vuajnë nuk drejtohen asnjëherë për ndihmë mjekësore tek specialisti dermatolog.

Ata mësohen me këtë gjendje që në moshë të re ose adoleshencë dhe mendojnë që është një problem i pazgjidhshëm që do t’i shoqërojë gjatë gjithë jetës.

Është për të ardhur keq, sepse aktualisht ekzistojnë alternativa të sukseshshme trajtimi. Produktet lokale si antiperspirantët me përmbajtje klorur alumini, të cilët rekomandohen të përdoren përpara gjumit në mënyrë që të kenë kohë më të gjatë për të vepruar (personat me hiperhidrozë foklae nuk djersijnë gjatë natës) janë alternativa e parë dhe më e thjeshtë.

Në qershor 2018 FDA aprovoi përdorimin lokal në të rritur e fëmijë mbi 9 vjec të një agjenti anticholiergjik (glycopyrronium tosylate) që frenon veprimin e acetilkolinës në gjendrat e djersës.

Iontoforeza është një procedurë që përfshin vendosjen e duarve dhe këmbëve në një enë me ujë ku kalon një rrymë e lehte elektrike. Kërkon seanca të shpeshta dhe mund të kryhet në shtëpi.

Medikamente anticholinergjike nga goja si dhe ndërhyrjet kirurgjikale janë dy opsione të tjera por që shoqërohen shpesh me efekte anësore.

Injeksionet me toksinën botulinike (Botox) në zonat që djersisin kanë një efikasitet të lartë, mbi 90%.

Botoxi vepron duke frenuar sinjalin ne sinapsin neuro-muskular dhe duke penguar në këtë mënyrë sekretimin e djersës. Rezultati duket pas 2-4 ditësh dhe arrin maksimumin fund të javës së dytë.

Efekti zgjat për disa muaj deri në 1 vit. Me përsëritjen e trajtimeve vihet re qëkohëzgjatja e efektit rritet.

Injeksionet kryhen në klinikë, zakonisht për 10 minuta, pasi është aplikuar paraprakisht krem anestetik. Nuk ka nevojë për kohë rekuprimi dhe individi mund ti rikthehet menjëherë aktivitetit të përditshëm.

Nuk ka efekte anësore. Në rastin e trajtimit të pëllëmbëve të duarve ekziston mundësia e përhapjes së Botoxit ne muskujt e dorës gjë që mund të shoqërohet me dobesi të gishtave vetëm gjatë 3 javëve të para pas injeksoneve.

Në praktikën time 10 vjecare të përdorimit të Botox për trajtimin e hiperhidrozës pranë Klinikës Vivia nuk kam pasur asnjëherë efekte anësore dhe mund të them me bindje që pacientët që i nënshtrohen kësaj procedure janë pacientët më të lumtur.

Kam shumë pacientë që i ndjek prej vitesh qoftë me injeksionet e Botox për efekte kozmetike pra për përmirësimin e rrudhave në fytyrë dhe gjithashtu për trajtimin e hiperhidrozës.

Shpesh pacientët që i kryejnë të dyja trajtimet deklarojnë të bindur se injeksionet kundër djersitjes u kanë përmirësuar cilësinë e jetës dhe nëse për ndonjë arsye do duhet të hiqnin dorë nga njëri prej trajtimeve, ky nuk do të ishte kurrsesi trajtimi me Botox i Hiperhidrozës!