I njohur si “baroni i drogës”, mbeten në sekuestro pasuritë e Gëzim Çelës, rreth 500 mijë euro dhe disa automjete

0
21

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në sekuestro pasuritë e Gëzim Çelës, i njohur ndryshe edhe si “baroni i drogës”. Mësohet se në sekuestro do të mbeten rreth 500 mijë euro dhe disa automjete.

Vendimi i plotë: 

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Daniela Shirka (kryesuese), Igerta Hysi (anëtare) dhe Iliriana Olldashi (anëtare), sot më 23.04.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 87 akti, datë 16.04.2024 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e shtetases M.Th. dhe shoqërisë “***”, me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 13, datë 17.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, lidhur me sekuestrimin e pasurisë sipas ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009”, dhe vendosi:

Miratimin e vendimit nr. 13, datë 17.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përsa i përket ankuesve Shoqëria “***” sh.p.k. dhe M.Th”.

Gëzim Çela, ish-oficeri i forcave speciale u ekstradua më 7 mars nga Kosova në Shqipëri. 56-vjeçari u arrestua në Ferizaj me 8 dhjetor të vitit 2023, ku autoritetet i sekuestruan edhe një kartë identiteti të dyshuar të falsifikuar me emrin Bekim Bajraktari dhe me shtetësi të Kosovës.

Me datë 14 Gusht 2023, SPAK zbuloi tentativën për të trafikuar një sasi të madhe kanabisi me mjet lundruese te nisur nga Patoku i Kurbin qe do të shkëmbehej në det me kokainë.

Emri i Gëzim Celës doli gjatë përgjimeve të SPAK në operacionin “Flakë në Det”, dhe u shpall në kërkim më 9 Tetor, ditën kur u arrestua edhe Dritan Metaj, shefi i komisariatit të Kurbinit i dyshuar se mbështeste Çelën dhe grupin e tij.

Më 15 gusht, gjatë tentativës për shkëmbim droge u kapën Arlind Ismailukaj, Nerim Çela, nip i Gëzim Çelës, Besnik Brokeri, Armando Mema dhe dy ukrainas./abcnews.al