Jo vetëm për kanabis, shqiptarët po i transferojnë shtëpitë dhe në “fabrika” të bitcoin me energji të vjedhur

0
90

Jo vetëm shtëpi bari, tashmë po lulëzon dhe një tjetër veprimtari e paligjshme. Ajo e fabrikave ku prodhohen kriptovalutat.

Një burrë kishte transformuar magazinën e shtëpisë së tij  në Malësi e Madhe në një “fabrikë” të prodhimit të kriptomonedhave virtual. Pajisjet furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë.

“Gjatë kontrollit, pranë magazinës së kësaj banese janë gjetur dhe sekuestruar 14 pajisje të markave të ndryshme elektronike, të cilat dyshohet se shërbenin për gjenerimin në mënyrë të jashtëligjshme të kriptomonedhave virtuale, si dhe aksesorë të tjerë që nevojiten për zhvillimin e kësaj veprimtarie. Këto pajisje furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.“ informoi sot policia e Shkodrës.

Në përfundim të veprimeve hetimore për këtë rast, u arrestua në flagrancë pronari i banesës, shtetasi M. H., 60 vjeç, banues në Malësi të Madhe, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Vjedhja e energjisë elektrike”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Ushtrimi pa licencë i aktivitetit tregtar”.

Policia sekuestroi 14 pajisje elektronike që shërbenin për gjenerimin e kriptomonedhave virtuale.

Operacioni i koduar  “Bitcoin” u ndërmor nga strukturat e Komisariatit të Policisë, Malësi e Madhe, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Shkodër, me Njësinë “C” në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, dhe OSHEE-në, Malësi e Madhe

Vazhdojnë hetimet për identifikimin e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Nuk është rast i izoluar i zbulimit të ambienteve të tilla të cilat vihen në dispozicion për një aktivitet të tillë kriminal.