Kamuflimi për t’i shpëtuar arrestimit, më të kërkuarit nga drejtësia fshihen pas simboleve të policisë

0
379

Kriminelët e njohur për ti shpëtuar arrestimit përdorin simbolet e policisë. Rasti më i fundit është i Anterio Kaloshit, i cili u konstatua me dy dokumente identifikimi policie me emra të personave të tjerë. Rast tjetër i ngjashëm është dhe ai i shokut të tij Orgest Bilbilit, i cili hiqej si punonjës policie me kartë të falsifikuar.

Janë jo të pakta tentativat e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore që kamuflohen me simbolet e policisë së shtetit për të kryer krime të ndryshme dhe për t’iu fshehur më pas drejtësisë.

Arrestimi i Anterio Kaloshit dhe Meardi Berberit dëshmon një tjetër rast, kur këto mjete identifikimi përdoren për të mos u kapur gjatë kontrolleve rutinë, apo operacioneve të ndryshme.

Sipas policisë Anterio Kaloshi, i dyshuar për disa ngjarje ndër to dhe qëllimi me 100 plumba në një hotel në Tushemisht, gjatë kohës që ndodhej në arrati kishte përdorur një kartë identiteti shqiptare, një letërnjoftim policie dhe një dokument i policisë greke.

Me këta dokumente ai i ka shpëtuar arrestimit për dy vite, që prej momentit kur dyshohet se vrau dy të rinj në Lushnjë.

E njëjta skemë është përdorur më herët dhe nga shoku i tij, i shumëkërkuari Orgest Bilbili i cili u arrestua në prill në zonën e Xhamllikut.

Atij nuk iu gjet asnjë mjet identifikimi, por vetëm një dokument policie i falsifikuar të cilën ai e përdorte.

Gjatë këtij viti ka pasur dhe dy raste të tjera ku janë arrestuar persona që përdornin simbolet e policisë.

Në Tiranë u ndaluan dy persona, të cilët u prezantoheshin si punonjës policie qytetarëve, ndërsa një tjetër qytetar lëvizte me dokumente false të EUROPOLIT.

Julian Muça në momentin e ndalimit ka pretenduar se është efektiv policie duke thënë “jemi kolege” dhe u ka treguar distinktivin.

Krahas dokumenteve të policisë, të inkriminuarit përdorin edhe dokumente të tjera të institucioneve të drejtësisë.

Rasti konkret është i Meardi Berberi i cili hiqej si avokat për ti shpëtuar arrestimit.

Ora news