Mandat i pakufizuar për prokurorët e SPAK, ministri i Drejtësisë: Kërkesë legjitime

0
145

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha se kërkesa e SPAK për mandat të pakufizuar për prokurorët e vet, është legjitime.

“Përcaktimi i mandatit është i sigluar në Kushtetutë, prandaj do të duhet të ulemi me ta dha ta diskutojmë, sepse nëse do të ketë ndryshim, do të duhet të preket Kushtetuta. Pa dyshim që kërkesa e tyre është legjitime, për sa kohë mandati i gjykatësve është i pakufizuar. Por kjo është një çështje që pret”, tha Manja duke folur për gazetarët në mbyllje të mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

Dy ditë më parë, Struktura e Posaçme Antikorrupsion kërkoi ndryshimin e ligjit që kufizon mandatin e prokurorëve pjesë të saj. Në një kërkesë drejtuar komisionit të ligjeve në Kuvend, SPAK pretendon se kufizimi i mandatit të prokurorëve nuk i shërben luftës kundër korrupsionit.

SPAK thotë se kufizimi i mandatit të prokurorëve në 9 vite, nuk aplikohet për gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme dhe është i gabuar të aplikohet edhe për prokurorët për disa arsye, si investimi për trajnimin e prokurorëve, kohën e gjatë që harxhohet për emërimin e tyre nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, por edhe për faktin se, sipas SPAK, në funksionet me mandat të kufizuar, është konstatuar se në vitin e fundit të mandatit, funksionari mendon për të gjetur një zgjidhje të favorshme punësimi pas mbarimit të mandatit dhe jo të kryejë detyrën që i është ngarkuar.

Momentalisht, SPAK ka të emëruar 9 prokurorë, nga 15 që duhet të ketë sipas ligjit. Ndërsa Byroja Kombëtare e Hetimit, ka në përbërje vetëm 28 hetues nga 60 që duhet të ketë sipas ligjit.

Ministri gjithashtu hodhi poshtë pretendimet se ka ndonjë marrëveshje me Britaninë e Madhe apo ndonjë shtet tjetër për të marrë emigrantë. Ndërsa tha se marrëveshja për transferimin e personave të dënuar e arritur me Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën thjeshton procedurat dhe nga ajo përfitojnë autoritetet por edhe personat e dënuar.