Milani dhe Donnarumma rinisin bisedimet për kontratë

0
251

Milani dhe agjenti i Gianluigi Donnarummas, Mino Raiola, i kanë nisur bisedimet për të ardhmen e portierit italian në San Siro, duke e shqyrtuar si opsion mundësinë e rinovimit të kontratës së tij deri në qershor të vitit 2023.

MilanNews.it raporton se Mino Raiola dhe Milani janë duke biseduar edhe për transferimin e ndonjë futbollisti të ri që është nën menaxhimin e agjentit Raiola për ta sjellë në Milan.

Megjithatë, bisedimet më së shumti kanë qenë të përqendruara te kontrata e Donnarrummas, pasi që ajo skadon në qershor të vitit 2021 dhe klubi kuqezi rrezikon ta humbasë atë përveç nëse italiani nënshkruan kontratë të re.

Deri më tani raportohet se bisedimet mes dy palëve kanë shkuar mirë dhe klubi shpreson që së shpejti do të arrijë marrëveshje për zgjatjen e kontratës së Donnarummas edhe për dy vjet të tjera, deri në qershor të vitit 2023.

Por, ende nuk është përfunduar asgjë, pasi që do të duhet të diskutohet më shumë për aspektin financiar dhe për kushtet personale për portierin Donnarumma për këtë kontratë të re.

Sipas MilanNewsIt, Donnarumma nuk dëshiron ta detyrojë klubin ta shesë atë këtë verë dhe paraqitjet e tij këtë sezon dhe roli i tij në skuadër e kanë dëshmuar dëshirën e tij për të qëndruar në San Siro.

21-vjeçari e ka mbajtur portën e paprekur në dhjetë nga 24 ndeshjet e zhvilluara këtë sezon dhe pritet të jetë gati për t’u kthyer në fushën e lojës për ndeshjen e Serisë A kundër Lecces më 22 qershor.

Gazeta express