Padia për tjetërsimin e pronave të ushtrisë, Meçollari rikthehet në SPAK

0
43

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar, në kuadër të hetimeve të nisura mbi paditë e depozituara nga ish-drejtuesi i forcave detare, Artur Meçollari në lidhje me disa prona të Forcave të Armatosura,  ku i fundit është paraqitur sërish paraditen e sotme, për të vijuar seancën lidhur me pretendimet e tij se zyrtarë dhe ish zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtrisë kanë shpërdoruar detyrën.

Lidhur me këtë çështje, më 9 mars prokurorët e SPAK nisën dhe ballafaqimet me palët e përfshira, ku u thirr për të dëshmuar ish-shefi i Shtabit Bardhyl Kollçaku, i cili njëherësh është dhe deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë.

4 ditë më pas, radhën për të shpjeguar akuzat për tjetërsimin e pronave të ushtrisë, e kishte ministrja e Jashtme

, e cila në cilësinë e ish-ministres së Mbrojtjes doli para prokurorëve të SPAK-ut.

Ministrja e pyetur nga mediat mbi arsyet, tha se nuk ka shkelje të ligjit nga ana e institucionit që ajo ka drejtuar.

“Shpifje të ulëta. Sigurisht që nuk ka asnjëherë asnjë shkelje ligji. Gjithmonë në funksion të detyrës”, deklaroi ministrja në dalje nga SPAK.

Vihet nën sekuestro baza detare e ushtrisë

Më 11 mars Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për vënien nën sekuestro preventive të “Bazës Ndihmëse, Limion, Sarandë”, një bazë e Forcave Detare, pronë e ushtrisë shqiptare e cila në korrik të viti 2020, me vendim të qeverisë, i është dhënë me qira, si pjesë e një territori shumë më të madh, prej mbi 265 mijë metrash katrorë, bashkimit të shoqërive “Concord Investment” sh.p.k. dhe “Kastrati Group” sh.a., përfaqësuar nga shoqëria “Marina Bay Saranda” shpk, si qiramarrës. Shoqëria, sipas publikimeve në faqen e Concord Investment, parashikon ndërtimin e një kompleksi hotelesh, rezidencash dhe një port jahtesh që do të ofrojë mundësnë për ankorim, për 400 anije

Sipas vendimit të Gjykatës, vlerësohet “i drejtë parashtrimi i prokurorit se duhet të ndërpritet kryerja e investimit në fushën e turizmit, apo dhe ndërtime të tjera nga investitori, mbi pronën 696 (Baza Ndihmëse, Limion), për arsye se disponimi lirisht i kësaj prone nga subjektet private, cënon gatishmërinë dhe operacionalitetin e Forcës Detare, operacionalitet i cili duhet të vazhdojë të kryhet nga organi kompetent që është Komanda e Forcës Detare, pa ndërhyrje të subjekteve private”.

Hetimi për këtë çështje ka nisur pas një kallëzimi të ish Zv.Komandantit të Forcës Detare Artur Meçollari, sipas të cilit, dhënia me qera është bërë në shkelje, pasi kjo bazë është pjesë e Planit të Vendosjes dhe të Përhapjes së ushtrisë, e për këtë arsye do duhej marrë dhe miratimi i Presidentit të Republikës, në cilësinë e Komandatit të Përjithshëm të Forcave të armatosura.

Qeveria nga ana e saj i është referuar një vendimi të Këshillit të Ministrave të vitit 2014 “për përcaktimin e kritereve, procedurës dhe mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontratave të tjera të pasurisë shtetërore”.

DY PADITË E MEÇOLLARIT

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri, është vënë në lëvizje nga dy kallëzime penale të bëra në mars dhe prill të vitit të 2021 nga Artur Meçollari, ish-drejtues i lartë i Forcës Detare.

Në to përfshihen zyrtarë të tanishëm dhe ish – zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Forcës Detare dhe Policisë Ushtarake.

Meçollari i akuzon ata, se kanë kanë shpërdoruar detyrën në lidhje me dy aktivitete private të lejuara në pronat në Planin e Vendosjes dhe të Përhapjes, siç njihen zonat ku janë të dislokuara forcat detare. (Këto prona janë pjesë e strukturës dhe kërkesave operacionale të Forcës Detare) Çdo ndryshim i këtyre pronave bëhet me propozim të Ministrit të Mbrojtjes dhe miratohet nga Presidenti. Meçollari, në dy kallëzimet e tij, thotë se ndryshimet në plan janë bërë pa marrë miratimin e Presidentit.