Pas shiut të madh dhe përmbytjeve fillon i ftohti, Shqipëria hyn zyrtarisht në dimër: Zonat më të prekura

0
63

Në një lidhje direkte me studion e ABC Live, drejtoresha e Meteoalb Lajda Porja ka bërë një parashikim të situatës aktuale me reshjet. Sipas saj muaji nëntor mund të cilësohet si një muaj i lagësht dhe me reshje të bollshme.

E pyetur nga gazetarja Sibora Bitri në lidhje me situatën aktuale të reshjeve, Porja u përgjigj që reshjet kanë qenë të fokusuara në zonën veri- perëndimore, të cilat kanë qenë më shumë se mesatarja mujore.

‘Reshje të konsiderueshme ka pasur në zonat veri-perëndimore, më shumë se 400 ml përgjatë këtij episodi, sasi e konsiderueshme në një kohë të shkurtër, në kohën që mesatarja mujore për këtë zonë është 200 ml, aktualisht ka rënë më shumë se 400 ml’.

Sipas drejtoreshës së Meteoalb vranësirat kanë qenë të përqendruara në veriperëndim, më pak në jug të vendit, por edhe zonat qendrore e kanë tejkaluar normën mujore, pa e mbyllur nëntorin është dyfishuar norma në një pjësë të mirë të territorit. Vetëm qarku i Korçës nuk ka patur reshje.

 

Pritet që dita e nesërme të përkeqësoi situatën, e gjithë dita e martë deri në mesin e të mërkurës do të ketë reshje. Ky episod që fillon nesër në mëngjes, deri në mesditën e të mërkurës pritet që të ketë më shumë se 80 ml reshje.

‘Do të përkeqësojë akoma më shumë situatën, në Shkodër edhe 5 ml do të prishte punë. Reshje do të ketë sërish nesër në qytetin e Shkodrës, për zonën e Mbishkodrës, Thethin, dhe Bogën. Nesër do të ketë një zhvillim dhe reshje edhe në jug, Vlora qarku ku do të ketë sasinë më të konsiderueshme’, tha Porja.

Në lidhje me temperaturat, sipas parashikimit të Meteoalb aktualisht deri të mërkurën do të jenë në normat normale të muajit, deri në 18 gradë. Por ditën e enjte do të ketë tërheqje të reshjeve, vjen një masë ajrore nga Poli i Veriut drejt Ballkanit. Në zonat malore do të ketë temperatura -2 ose – 3 gradë. Temperaturat pritet që të bien ndjeshëm dhe të krijohet një mini-dimër i vogël në fund të nëntorit.