Prokuroria e Vlorës ka kërkuar të gjykohet për vrasje me dashje polici që vrau me skaf 7-vjeçaren, ndërsa ka kërkuar masën e arrestit me burg.

Në këtë mënyrë Prokuroria e Vlorës kundërshton qëndrimin e AMP-së, e cila kategorizoi dje ngjarjen në Himarë si “vrasje nga pakujdesia”. Masa e sigurisë ndaj Arjan Tase pritet të zhvillohet ditën e premte ora 10:30 në gjykatën e Vlorës. Seanca drejtohet nga gjyqtare Viola Canaj, ndërsa prokurore Eranda Laze.

Nga burime të Prokurorisë pritet që kjo e fundit te ndryshojë akuzën nga vrasje nga pakujdesia në vrasje me dashje për ish-efektivin e policisë. Kjo për shkak se sipas hetimeve të kryera ka rezultuar se Tase është futur në një perimetër ku nuk lejohen mjetet lundruese.

Nga burime mësohet së janë edhe tre dëshmi në Dosjen e Prokurorisë rreth faktit si ka ndodhur ngjarja. Ndërkohë në dosje janë edhe aktet e ekspertimit mjekoligjor dhe aktit për kqyrjen e gomones. Megjithatë pritet zhvillimi i seancës gjate ditës se premte ne gjykatë.

Pasi zbarkoi në breg familjarët e tjerë në bord, kreu manovrime të pakujdesshme për të kthyer mjetin lundrues sërish në det të hapur.

Nga këto manovrime të pakujdesshme, 15 metra larg bregut, ka goditur me pjesën e prapme të mjetit lundrues, Jonada Avdiun duke i shkaktuar humbjen e menjëhershme të jetës.

Arjan Tase një polic i cili në të kaluar u bë subjekt i hetimeve për shkak të lejimit të kultivimit të drogës në kohën kur ai ishte drejtues i komisariatit të Himarës, duket se nuk e “çante” kokën për ligjin dhe se ligjin e bënte vetë. Deri më tani nuk ka rezultuar që Arjan Tase të jetë i pajisur me leje përkatëse për drejtimin e një skafi me 600 kuaj fuqi dhe 7 metra të gjatë.

Ndërkohë edhe pse nuk lejohet, Tase ka thyer ligjin duke u afruar qëllimisht në zonën e mbushur me pushues edhe pse sipas rregullores, “përbindësha” të tillë deti duhet të qëndrojnë deri në 300 metra largësi nga bregu për shkak të fuqisë së madhe që ata kanë.

Një shkelje tjetër e kryer nga polici është arma që atij ju gjet në çantën e krahut që përdorte. Edhe pse rregullorja parashikon që arma e shërbimit nuk duhet marrë me vete kur efektivi është jo në orarin e punës, Arjan Tase bënte siç dinte vetë.

Ndërkohë ende nuk është sqaruar se si ka arritur që të sigurojë këtë mjet lundrues. Ndërkohë burime në media raportojnë se skafi i përket vetë policit, megjithëse me letra figuron në pronësi të një personi tjetër.

/abcnews.al/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu