Projekt-ligji i ri i BE kërkon që sufllaqet në Evropë të kenë ‘copa mishi të prera në një trashësi të caktuar’

0
12

Zemërimi po rritet në dyqanet e donerave e sufllaqeve të Evropës pas një propozimi të ri të Brukselit që kërkon që copat e prera të mishit të kenë saktësisht një trashësi të caktuar.

Zhvillimi vjen pasi Turqia kërkon të aplikojë për patentë mbrojtjeje nga BE për ‘donerin’ e saj tradicional, siç është vepruar më parë për “picën napolitane”, sallamin spanjoll ‘serrano’ apo për shampanjën franceze, shkruan rrjeti Daily Mail.

Nëse propozimi kalon procesin tre-mujor të diskutimeve mund të vendoset një standard i vetëm në BE për ushqimin e shpejtë të njohur si ‘doner kebab’ ose sufllaqe.

Rregulli kërkon që ‘vetëm copa të mëdha mishi viçi ose qingji të prera horizontalisht me trashësi 3 deri në 5mm’ të mund të quhen ‘doner’, ndërsa për mishin e pulës kërkohet që trashësia e prerjes të jetë 1 deri në 2 mm, shkruan rrjeti britanik Daily Mail.

‘Doner kebab’, quhet në Evropë mishi i prerë hollë nga helli vertikal që rrotullohet para ngrohëses. Para se të vendoset në hell, mishi marinohet me kos, piper, salcë domatesh, erëza e kripë, shkruan Daily Mail.

Mediat turke thonë se vendi kërkon patentë të veçantë për donerin e tij për të mbrojtur traditën pasi ushqimi ka ndryshuar teksa përhapet në Evropë. Industria e këtij ushqimi të shpejtë në Evropë llogaritet në €3.5 miliardë, thonë autoritetet turke.

Megjithëse ato janë të lidhura me përcaktimet evropiane të origjinës, specialitetet tradicionale nuk përfshihen në veçoritë gjeografike që kanë mbrojtjen më specifike të ushqimeve në Evropë. Kjo vlen për shembull për proshutën Parma dhe përcaktimin e saj te origjinës gjeografike.

Specialitete të tilla kanë hapur debate më parë si për shembull përdorimi i titullit ‘prosek’ nga një prodhues verërash në Kroaci, që sfidonte italianët në termin e veres se tyre me gaz ‘Prosecco’.

Përdorues të rrjeteve sociale shpërndanin imazhe të ‘donerave më të hershëm’ për të pretenduar se ushqimi kishte qenë gjithmonë ‘me origjinë nga Turqia’.

Por të tjerë nuk ishin dakord, sidomos gjermanët, duke thënë se “vendi duhet të bëjë një kundër-pretendim”, sipas një përdoruesi në rrjetin X, ish Twitter.