Samiti i BE, helikopteri i Ushtrisë ngrihet në patrullim

0
84

Helikopteri i Forcave të Armatosura është ngritur mesditën e kësaj të hëne në patrullim, në qendër të Tiranës, më pak se 24 orë para Samitit Bashkimi Europian-Ballkani Perëndimor.

Siç shihet nga këto pamje të siguruara nga neësbomb.al, helikopteri i Forcave të Armatosura ka krye të paktën dy manovra mbi zonën ku do të vendoset prej mëngjesit të nesërm perimetri i sigurisë, për të garantuar mbarëvajtjen e samitit.

Për të garantuar rendin dhe sigurinë, në rrugëkalimet e delegacioneve dhe në vendin ku do zhvillohet Samiti, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash, duke  bashkëpunuar me agjencitë ligjzbatuese brenda vendit, me ekspertë të sigurisë së vendeve të BE-së, si dhe me organizatat ndërkombëtare INTERPOL dhe EUROPOL, për shkëmbimin në kohë të informacioneve.

 

Po nesër më 6 dhjetor, do të zhvillohet dhe protesta e lajmëruar nga opozita. Policia e Shtetit ka njoftuar se nuk e ndalon atë, por garanton mbarëvajtjen e saj jashtë perimetrit të sigurisë, pasi perimetri i sigurisë së samitit është i pacënueshëm dhe i aksesueshëm vetëm nga pjesëmarrësit dhe nga gazetarët e akredituar.

“Ne kemi besim se arsyeja do të fitojë mbi emocionet e kujtdo dhe jemi të përgatitur për çdo rast kur do të ndodhë e kundërta”, u shpreh drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.