SHBA: “Tirana e Shkupi të hyjnë në BE”

0
86

Shtetet e Bashkuara po mbajnë bisedime dypalëshe me Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut për të zgjidhur shpejt mosmarrëveshjet mes dy vendeve.

Zëdhënësi i sekretarit të Shtetit Blinken, Ned Price thotë se është koha që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të nisin bisedimet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Sekretari i Shtetit Anthony Blinken dhe ministri i jashtëm francez Jean-Yves Le Drian përmes një bisede telefonike që patën javën e kaluar dolën në konkluzionin se procesi për anëtarësimin e dy vendeve të Ballkanit Perëndimor po përshpejtohej.

Megjithatë zëdhënësi i Blinken, Ned Price nuk dha detaje për bisedën e dy kryediplomatëve, por u shpreh se SHBA-të inkurajojnë një zgjidhje dypalëshe mes Sofjes dhe Shkupit.

Price potencoi se Shtetet e Bashkuara janë tashmë prej kohësh mbështetëse të fuqishme të integrimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Ned Price: “Ne besojmë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE. Procesi i zgjerimit promovon paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe prosperitet në të gjithë rajonin. Shkupi dhe Tirana kanë plotësuar kushtet bazë dhe ne besojmë se është koha për të ecur përpara së bashku në fazën tjetër të procesit të gjatë dhe sfidues të pranimit në Bashkimin Evropian”.

Ndërsa përmendi Marrëveshjen e Prespës e cila u finalizua me ndryshimin e emrit të Maqedonisë në Maqedoni e Veriut, Ned Price tha se Ballkani Perëndimor ka treguar se vendet e rajonit janë të afta të ndërmarrin akte të vështira për të arritur kompromise.

Në këtë kuadër, sipas zëdhënësit të Blinken, SHBA-të janë të sigurta se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria do ta gjejnë gjuhën për të negociuar mosmarrëveshjet.

Bullgaria ka vendosur veton ndaj Shkupit që ky i fundit të hapë negociatat me BE-në për shkak të mosmarrëveshjeve kulturore dhe historike.

Sofja kërkon nga qeveria maqedonase që të korrigjojë Kushtetutën duke i bërë bullgarët prijësit e entitetit maqedonas përpara 1945-s.