Tragjedia në Indi/ Mbi 280 të vdekur nga përplasja e trenave, qindra të plagosur

0
67

Numri i viktimave nga përplasja e trenave në Odisha të Indisë ka shkuar në 288 dhe mbi 1000 janë plagosur, raporton CNN. Numri i viktimave pritet të rritet pasi shumë njerëz dyshohet se janë bllokuar nën vagona. Në aksident u përfshinë dy trena pasagjerësh dhe një mallrash.

Më shumë se 115 ambulanca dhe disa njësi të shërbimit zjarrfikës ndodhen në vendngjarje.
Ushtria indiane, ekipe nga Forca Kombëtare e Reagimit ndaj Fatkeqësive, Forca e Veprimit të Shpejtë të Fatkeqësive Odisha dhe shërbimet e zjarrit të shtetit janë dërguar në vend.

Qindra njerëz janë mbledhur jashtë spitaleve për të dhuruar gjak. Një zyrtar i lartë tha se rreth 850 njerëz janë shtruar në spital. Ministri i Hekurudhave Ashëini Vaishnaë urdhëroi një hetim të nivelit të lartë për incidentin ndërsa kryeministri i Odisha, Naveen Patnaik shpalli zi shtetërore njëditore.

Ky konsiderohet si një nga aksidentet më vdekjeprurëse të trenave në Indi në kohët e fundit. India ka pasur shumë aksidente të mëdha hekurudhore në të kaluarën, por siguria hekurudhore është përmirësuar ndjeshëm vitet e fundit falë investimeve dhe përmirësimit të teknologjive.

Aksidenti më i rëndë hekurudhor në historinë e Indisë ndodhi më 6 qershor 1981 kur një tren pasagjerësh doli nga shinat në shtetin e Biharit dhe shtatë vagonë ​​ranë nga një urë në ujërat e lumit Bagmati, duke vrarë mbi 800 njerëz./abcnews.al