U plagos për shkak të gropës në rrugë, bëhet milioner

0
267

Një shofer në Uells të Britanisë së Madhe është bërë milioner pasi ka fituar pas katër vitesh betejën ligjore kundër qeverisë, pas një dëmtimi personal që pësoi pasi u aksidentua në një gropë në rrugë.

Mediat vendase raportojnë se shoferi i paidentifikuar u plagos në një aksident që u shkaktua prej gropës së hapur në një prej rrugëve të Uellsit, në 2018-19 dhe kompensimi i plotë prej 1,188,565,25 paund iu pagua përfundimisht katër vjet më vonë.

Dëmshpërblimi që qeveria e Uellsit u detyrua t’i paguajë qytetarit besohet të jetë një nga më të mëdhatë që është përftuar ndonjëherë në Britani dhe vjen në një kohë kur aktivistët paralajmërojnë se rrugët e vendit ndodhen në gjendje të mjerueshme.

Shifrat tregojnë se qeveria e Uellsit ka zgjidhur 11 kërkesa për dëmtime të automjeteve të lidhura me gropat gjatë pesë viteve të fundit dhe dy pretendime të tjera për lëndime personale.

Gjatë asaj kohe, pagesa tipike më e lartë për pretendimet për dëmtimin e automjeteve ishte 1,077 paund.

Ndërkohë, Mark Morrell, aktivisti kryesor i çështjes së aksidenteve prej gropave në rrugë në Mbretërinë e Bashkuar, po i kërkon publikut të raportojë gropat në lagjen e tyre.

Sipas Morrell, i cili nisi fushatën e tij 10 vjet më parë, rrugët e mirëmbajtura keq po i kushtojnë vendit në një vit deri në 10 miliardë paund që shkojnë për dëmshpërblime.