
Edhe ditën e sotme vijojnë reshjet e borës në gjithë territorin e Qarkut Kukës.
Mësohet se lartësia e borës në Shishtavec ka arritur në 15 cm, në Valbonë 20 cm dhe në Qafë Prush të Hasit 15 cm.
Nga informacionet rezulton se rrugët nacionale janë të kalueshme normalisht.
Nga kontraktorët me kapacitete të plota vazhdon të punohet gjatë gjithë kohës për pastrimin e borës, largimin e gurëve dhe inerteve të rëna në disa segmente rruge, kriposjen dhe mbajtjen funksionale të tyre.
Burime bëjnë me dije se rrugët rurale në administrim të bashkive janë të qarkullueshme.
Problem për mirëmbajtje ngelet segmenti rrugor Fierz-Lekbibaj bashkia Tropojë e cila i ka kaluar në inventar ARRSh-së.
Gjendja e rezervuareve është nën monitorim në të gjithë Qarkun, ndërsa furnizimi me ujë të pijshëm është normal.
Gjithashtu edhe furnizimi me energji elektrike është normal në të gjithë Qarkun Kukës.
Deri në këto momente nuk raportohen problematika emergjente.
