Vlorë: Dy plumba pistolete Mario Mitros, autori qëlloi nga 2 m distancë, makinën e dogji në Selenicë

0
189

Marion Mitro, i cili u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda si pjesë e grupit kriminal të vendosjes së tritolit në Vlorë, është qëlluar me dy plumba pistolete paraditen e 26 janarit 2021.

Mitro, ka qenë duke ecur në afërsi të bibliotekës së Vlorës kur një person ende i paidentifikuar i është afruar me një automjet tip “land Rover” dy metra dhe në këtë distancë, ka qëlluar në drejtim të tij, duke e lënë të plagosur në pjesët e këmbës.

Mitro ka pak kohë që ka dalë nga burgu, pasi ishte dënuar me 8 vite burgim për akuzën e Tentativës së vrasjes me tritol ndaj ish-prefektit të Vlorës, Besnik Dervishaj.

Burime për Ora News, thanë se gjatë krehjes së zonës, në aksin rrugor Vlorë- Selenicë, nga shërbimet e Policisë është konstatuar duke u djegur një automjet i braktisur i markës “Land Rover”, i cili paraprakisht dyshohet se mund të jetë i autorit të ngjarjes.

Deri në këtë fazë të hetimit nuk ka asnjë person të arrestuar, ndërkohë Marion Mitro ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe nën kujdesin e mjekëve të spitalit të Vlorës.

Në 15 korrik 2016, Gjykata e Krimeve të Rënda, ka dhënë dënimet për 7 anëtarët e grupit kriminal të njohur si “banda e tritolit”.

Togat e zeza dënuan me burgim të përjetshëm Andon Mëhillajn, ndërsa Julian Sinanaj është dënuar me 35 vjet heqje lirie, 30 prej të cilëve do i kalojë në një burg të sigurisë së lartë ndërsa 5 të tjera në një burg të sigurisë së zakonshme.

Mbi Sinanaj rëndojnë 15 akuza dhe ndaj tij u dhanë katër dënime me burg përjetë por me marrëveshjen që ai ka me drejtësinë shqiptare dhe statusin e bashkëpunëtorit dënimi për të u reduktua në 35 vite burg.

E njëjta gjykatë ka dënuar me 19 vite burg Marjon Mitro ndërsa organi i akuzës kërkoi dënimin me 26 vite burg për të. Por dënimi me 19 vite burgim, është ulur në mënyrë të ndjeshme në Gjykatën e Apelit, ku Mitro u dënua me 8 vjet heqje lirie.

Në të njëjtën kohë u dënua me 10 vite burg Genis Mëhillaj, ky i fundit bashkë me kushëririn e tij të dënuar me burgim të përjetshëm Andon Mëhillaj akuzohen se kanë porositur vrasjen e Sokol Veizit dhe Agron Çelës.

Gjithashtu togat e zeza dënuan me 5 vite burg biznesmenin e naftës Ilir Karçini, i cili kishte porositur vrasjen e biznesmenit tjetër të naftës Piro Bare, duke paguar 150 mijë euro Julian Sinanajn. Ndërsa me 8 vite burg është dënuar Albin Merxhaj i cilësuar si personi që furnizonte me armë dhe tritol grupin kriminal.

Ora news