Édgar Escobar, një prokuror publik në Guajakili të Ekuadorit, u vra një ditë më parë përballë kishës La Merced, ku ndodhen zyrat e Prokurorisë Provinciale të Guayas.

Ngjarja e rëndë ndodhi në qytetin-port, ku mafia shqiptare akuzohet nga autoritetet lokale për trafikimin e tonelatave kokainë nga Ekuadori në Europë.

Sipas versioneve paraprake, Escobar, pak pasi ka lënë zyrën, ka qenë duke shkuar në një dyqan për të lustruar këpucët. Ai u ekzekutua në mes të rrugës, me autorët që duket se kanë dashur të japin një mesazh për autoritetet.

Trupi i zyrtarit është lënë i shtrirë, deri sa policia ka rrethuar vendin dhe mbërriti ambulanca me mjekët, të cilët e shpallën të vdekur në vend.

Zyra e prokurorit publik tha se dy të dyshuar për atentatin u arrestuan gjatë një operacion policor.

Mediat ekuadoriane raportojnë se gjatë gjithë karrierës së tij, ai ishte marrë me raste të ndjeshme vrasjesh, organizata të trafikut të drogës dhe çështje të tjera. Këtë vit ai ishte prokuror i Njësisë së Personave dhe Garancive të Guajakili.

Sipas versioneve paraprake, Escobar ndodhej në parkun përballë Prokurorisë duke lustruar këpucët, kur iu afruan persona të armatosur. Ai u përpoq të ikte, por nuk mundi t’u shmangej plumbave.

Këtë vit, mes çështjeve të rëndësishme, Escobar ngriti procesin ndaj tetë anëtarëve të dyshuar të një organizate droge përgjegjëse për dërgimin e ngarkesave të drogës jashtë vendit.

Pas disa bastisjeve në shtëpitë e kryera në orët e para të së mërkurës, 20 korrik, në Guayas, Los Ríos dhe Imbabura, u raportua sekuestrimi i 200 pakove kokainë.

Prokurori Eskobar ka dënuar me dhjetëra trafikantë droge si dhe ka pasur nën hetim çështjen e revoltave në burgjet ekuadoriane, ku kanë humbur jetën pas përleshjeve qindra të dënuar.

Autoritetet dhe prokurorët e Prokurorisë së Guajakili, u befasuan nga vrasja e kolegut të tyre në zemër të qytetit-port ekuadorian

Qyteti-port i Guajakilit, konsiderohet kryeqendra e trafikut të drogës, ku rolin kryesor e luan mafia shqiptare në bashkëpunim me kartelet meksikane apo kolumbiane.

Vitet e fundit, disa shqiptarë janë ekzekutuar për kontrollin e trafikut të drogës në Guajakili, ku më i fundit ishte Ergys Dashi, i ekzekutuar në një restorant në janar të këtij viti.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu