Australia regjistron ditën më të nxehtë që nga viti 1962

0
115

Australia ka barazuar ditën e saj më të nxehtë pasi një qytet i largët bregdetar raportoi temperaturat prej 50.7 gradë Celsius. Temperatura e regjistruar në qytetin Onslow në Australinë Perëndimore të enjten përputhet me një rekord të vendosur në vitin 1962 në Australinë e Jugut. Onslow dhe zonat përreth mund të regjistrojnë përsëri temperatura rekord pasi temperaturat priten të rriten pak ditën e premte.

Regjistrimi i temperaturave rekord vjen pasi Australia Perëndimore raportoi zjarre të mëdha në pyje muajin e kaluar raporton “BBC”. Një zjarr pranë lumit Margaret ka djegur më shumë se 6,000 hektarë tokë, duke detyruar evakuimin. Byroja e Meteorologjisë konfirmoi të enjten se Onslow barazoi rekordin në 14:26 me kohën lokale. Sipas mediave lokale, temperatura mesatare në Onslow në këtë periudhë të vitit është 36.5 gradë Celsius.

Dy qytete të tjera Mardie dhe Roebourne raportuan temperatura mbi 50 gradë Celsius të enjten. Luke Huntington i Byrosë së Meteorologjisë tha se akumulimi i ajrit të nxehtë në rajon ishte shkaktuar nga mungesa e stuhive. Ai tha se njerëzit të bëjnë “kujdes shtesë për të qëndruar në ambiente të mbyllura me ajër të kondicionuar, ose nëse duhet të jenë jashtë të qëndrojnë në hije dhe të pijnë lëngje”. Vapa rekord vjen vetëm disa ditë pasi një raport nga sistemi satelitor i BE-së konfirmoi se shtatë vitet e fundit kanë qenë më të nxehtat e regjistruara.

Valët e të nxehtit po bëhen më të mundshme dhe më ekstreme për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit. Bota tashmë është ngrohur me rreth 1.2 gradë Celsius që nga fillimi i epokës industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten nëse qeveritë në mbarë botën nuk bëjnë shkurtime të mëdha të emetimeve.  / abcnews.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu