Ekzekutimi i ish-policit Roland Rexhepi në Elbasan, ekstradohet nga Gjermania i treti i atentatit

0
310

Ekstradohet nga Gjermania Florind Shabani, 40 vjeç, i akuzuar si një nga tre autorët e vrasjes së ish-oficerit të policisë Roland Rexhepi në Elbasan.

“Shtetasi F. Sh., në datën 22.07.2009, në lagjen “Vullnetari” Elbasan, në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri shtetasin R. R” njoftoi policia.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, në shtator të vitit 2021, i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Një analizë ADN-je që i është bërë Ismail Shabanit, babait të Florind Shabanit, ka qenë vendimtare për zbardhjen e vrasjes së Roland Rexhepit.

Florind Shabani, rezulton të ketë qenë në rolin e ndihmësit në këtë vrasje, ndërsa gjermanët kanë qenë ata që sollën sinjalet e para, që ndihmuan më tej prokurorinë Shqiptare, në faktimin me provë shkencore të pjesëmarrjes së Shabanit në këtë vrasje.

Ai është arrestuar në Gjermani për tregtim droge dhe në vazhdën e procedurave, policia Gjermane ka sjellë në Policinë e Shtetit, një kërkesë për analizimin e ADN-së së këtij persona.

Nga verifikimi i profilit të ADN-së i mbërritur nga Gjermania me profilet e ruajtura në laboratorin shkencor të policisë, rezultoi se i njëjti profil pështyme është gjendur në një maskë dhe bisht cigare, e sekuestruar nga prokuroria e Elbasanit në ngjarjen e vrasjes së Roland Rexhepit në 29 korrik 2009.

Po nga Interpol Tirana është ekstraduar nga Gjermania drejt vendit tonë, shtetasi shqiptar Shpetim Kiri, 63 vjeç.

Ky shtetas ka qënë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal (ka pasur rolin e transportuesit), i cili u godit në kuadër të operacionit policor “Garantuesit”, zhvilluar në vitin 2018, në DVP Shkodër, ku pas dokumentimit me prova ligjore u arrestuan 9 shtetas dhe u shpallën në kërkim 2 të tjerë.

Ata trafikonin emigrante drejt Anglisë dhe SHBA kundrejt shumës nga 8 mijë në 12 mijë euro.

Këtë shtetas, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në korrik të vitit 2020, e ka dënuar me 4 vite, 2 muaj e 14 ditë burgim, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit më shumë se një herë e kyer në kuadër të grupit të strukturuar” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.