SPAK njofton se tetë grupe të strukturuara kriminale veprojnë në shtrirjen gjeografike kryesisht në qytetet e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit.

Këta grupe kriminale kanë një shkallë shumë të lartë organizimi dhe shkallë shumë të lartë rrezikshmërie shoqërore: Vrasje, vjedhje me dhunë, shkatërrim prone me lëndë plasëse.

Bashkëpunimi i SPAK dhe policisë çoi në mbledhjen e provave dhe identifikimin e 32 anëtarëve të këtyre grupeve kriminale për arrestimin e të cilëve u ndërmor një operacion i gjerë në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Lezhë.

Prej orëve të para të mëngjesit të 19 majit 2022 Forcat RENEA mësynë banesat, hotelet apo godinat ku dyshohet se ishin fshehur anëtarë të këtyre grupeve duke arritur të ekzekutojnë 9 urdhërarreste, 9 të tjera u ekzekutuan në burg ndërsa 14 të tjerë arritën të largoheshin.

Karakteristikë e këtyre grupeve ishte dhuna e egër që ata tregojnë në kryerjen e krimeve me pasoja shumë të rënda për të cilat ishin gati të bashkëpunonin por dhe të paguanin shuma të mëdha parash për vrasjen e personave të cilët ata i konsideronin si kundërshtarë.

“Ajo që është karakteristikë për këta grupe kriminale është dhuna e egër e treguar në kryerjen e krimeve, si dhe pasojat shumë të rënda të ardhura nga kjo veprimtari kriminale. Pjesëtarë të një grupi kriminal në raste të ndryshme bashkëpunojnë me grupe të cilët janë kundërshtarë të njëri – tjetrit. Hetimi ka nxjerrë në pah se grupet kriminale ishin në gjendje të paguanin shuma të mëdha parash për vrasjen e personave të cilët ata i konsideronin si kundërshtarë”, informon kreu i SPAK, Arben Kraja në një konferencë për median krah drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.

Operacioni nisi menjehere pas arrestimit të Nuredin Dumanit. Drejtuesi i SPAK dhe i policisë së Shtetit u rezervua për të dhënë emrat e personave në kërkim ndërsa gazetarët para konferencës për median informuan se mes emrave që u ikën sërish policisë janë: Suel Çela, Talo Çela e Ervis Martinaj.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu