Shtyhet sërish fiskalizimi, bizneset e vogla nuk do të gjobiten deri në 30 qershor 2022

0
113

Qeveria nuk arriti objektivin për fiskalizimin e 120 mijë bizneseve deri në 31 dhjetor të vitit që lamë pas. Për këtë arsye, vetëm pak ditë më parë Këshilli i Ministrave vendosi shtyrjen e afatit të aplikimit të gjobave deri më 30 qershor të këtij viti. Nga të dhënat zyrtare të Tatimeve rezulton se vetëm gjysma e tyre kanë arritur të fiskalizohen. Procesi duket se është zvarritur si pasojë e kostove financiare, por edhe vështirësive teknike.

Janari i këtij viti ishte vendosur si afat për aplikimin e faturave elektronike nga të gjitha bizneset në kuadër të procesit të fiskalizimit.

Por procesi ka pasur vonesa pasi sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve deri në fund të vitit vetëm gjysma e bizneseve kanë arritur të fiskalizohen.

Prej 1 janarit 2021, kur dhe nisi ky proces dhe deri në 31 dhjetor rezulton se 59 134 mijë biznese janë në sistem nga rreth 120 mijë që e kanë detyrim ligjor.

Duke u nisur nga këto të dhëna, qeveria mori vendim për shtyrjen e afatit të fiskalizimit deri në 30 qershor të këtij viti për biznesin e vogël.

Afati për të mos vendosur gjoba përfundonte në 1 janar, por vetëm pak ditë më parë Këshilli i Ministrave mori vendimin për shtyrjen e aplikimit të gjobave vetëm për 3 kategori.

Nga zgjatja e afatit edhe ndërmarrjet që ofrojnë furnizimin me ujë për konsumatorët final, tregu i rregulluar i energjisë elektrike si dhe bankat apo institucionet financiare.

Sipas Ministres së Financave, qëllimi i shtyrjes së fiskalizimit është t’i jepet kohë bizneseve për të përshtatur infrastrukturën e nevojshme dhe për t’u familjarizuar me procesin.

Shtyrja e afatit të fiskalizimit është kërkuar vazhdimisht nga biznesi i vogël dhe i mesëm me arsyetimin se ka shumë kosto dhe vështirësi në aplikim.

Kësaj kërkese i është bashkuar dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë, e cila ka kërkuar shtyrjen e afatit të zbatimit të penaliteteve deri në fund të vitit 2022.

Kostot e fiskalizimit kanë të bëjnë me aplikimin e certifikatës elektronike përmes e-Albania, më pas blerjen e programit të faturave online, trajnimin e punonjësve për përdorimin e tij dhe pajisjet e nevojshme si kompjuteri dhe printeri për lëshimin e faturave.