30.5 C
Elbasan

Aleksandër Vuçiç: Nuk e njohim Kosovën vetëm për BE-në

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha të enjten se do të refuzonte anëtarësimin në Bashkimin Evropian nëse Beogradi nuk përfiton në këmbim të njohjes së Kosovës dhe heqje së pengesave për anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara.

Pas një takimi me ministrin rus të Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov, ai tha se Serbia do të mbrojë interesat e saj pavarësisht se mund të paguajë një çmim të lartë.

“Nëse mendoni se është e mundur që ne të themi se do ta pranojmë Kosovën dhe ajo të hyjë në OKB, ndërsa ne të mos përfitojmë asgjë, por do të na thuhet se do të jemi anëtare e Bashkimit Evropian, përgjigjja jonë është jo”, tha ai.

Presidenti serb tha se vlerësimet rreth ideve dhe planeve për marrëveshjen me Kosovën që paraqiti në Beograd ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov janë shqetësuese.

“Nuk dua të mashtroj njeri ose të fsheh diçka nga opinioni në Serbi. Duket se është duke na pritur një periudhë tepër e vështirë, në të cilën do të përballemi me trysni të madhe, në mënyrë që të realizohen disa plane, të cilat ne nuk i kemi marrë as zyrtarisht dhe as jozyrtarisht. Por, në bazë të vlerësimeve të caktuara të miqve tanë rusë, më duket se do të na duhet që të jemi shumë të kujdesshëm në vëzhgimin e secilës ide që do të na paraqitet”, tha presidenti serb.

Ministri rus Sergei Lavrov po qëndron në Beograd dy ditë para zgjedhjeve të përgjithshme në Serbi. Ai tha se problemi i Kosovës mbetet i pazgjidhur dhe Bashkimi Evropian, i cili nga Këshilli i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, ka marrë mandatin për rolin e ndërmjetësuesit në bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, duhet të përpiqet për zbatimin e marrëveshjeve që tashmë janë arritur, duke vënë theksin tek çështja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ne do të mbështesim çdo përpjekje dhe çdo hap dhe nismë që vërtetë do të ndihmojnë Beogradin dhe Prishtinën për arritjen e një zgjidhjeje thelbësore dhe të pranueshme, në bazë të Rezolutës 1244. Do t’ju përkujtoj që pikërisht me propozimin dhe këmbënguljen e Rusisë, në atë rezolutë konfirmohet integriteti territorial i Serbisë”, tha ministri rus, duke nënvizuar se Moska do të pajtohet vetëm me atë vendim me të cilin do të pajtohej Serbia.

Presidenti serb i cili javën e ardhme do të qëndrojë në Moskë ku do të takohet me presidentin rus Vladimir Putin, tha se para “kohëra tejet të vështira”, janë para Serbisë.

“Kur them ‘kohë të vështira’, ndoshta janë më të vështirat në dhjetë apo 12 vjetët e fundit që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe pranimi i saj nga më shumë se 90 vende të botës. Është shumë e rëndësishme që ne ta kuptojmë pozicionin tonë, të jemi mjaftueshëm të fuqishëm, gjithmonë të gatshëm për bisedime dhe për kompromise, por mjaftueshëm të fuqishëm që të refuzojmë ultimatumet dhe shantazhet”, tha presidenti serb.

Kosova dhe Serbia pritet të takohen në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor me ndërmjetësimin e ambasadorit Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump. Njëkohësisht Bashkimi Evropian është vënë në përpjekje për rifillimin e bisedimeve të ndërmjetësuara prej tij.

Autoritetet në Kosovë presin që nisma amerikane të cojë në njohjen e ndërsjellë, ndërsa Beogradi refuzon një gjë të tillë duke llogaritur në mbështetjen e Moskës.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, pohon se Beogradi synon të vazhdojë të ruajë baraspeshën në marrëdhëniet e tij me Perëndimin në njërën anë dhe Rusinë e Kinën ndërsa synon një marrëveshje me Kosovën, që është kusht për anëtarësimin në BE./

Voa

Lajme të tjera

Vrasja 14-vjeçarit në Maliq/ Policia zbardh dinamikën e ngjarjes, vihen në pranga tetë persona! Mes tyre babai dhe xhaxhai i autorit, sherri nisi 1...

Detaje të reja janë zbardhur lidhur me vrasjen e 14-vjeçarit Erald Xhejo në Maliq. Bëhet me dije se dy 14 vjeçarët viktima Erald Xhejo dhe autori Enedio...

Doli për të kërkuar qenin… Ende asnjë gjurmë nga 56-vjeçari në Elbasan, gjendet kafsha por jo ai

Ende asnjë gjurmë nuk ka nga 56-vjeçari, i cili u zhduk në Elbasan, teksa kishte dalë për të kërkuar qenin që i ruante bagëtitë. Pas...

Sherr me thika mes adoleshentëve në Maliq, humb jetën 14-vjeçari

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në fshatin Pirg të Maliqit ku pas një konflikti mes të miturish, ka humbur jetën...

Zjarre nga jugu në veri! Flakët në Korçë kalojnë në territorin grek, aktive prej shumë ditësh vatra në fshatin Xath

Vatra e zjarrit në afërsi të Parkut Natyror të Gërmenjës po përparon më shumë drejt territorit grek, si pasojë  e erës që po fryn...

Vijon zjarri në Liqenin e Dushkut, zjarrfikësit punojnë për shuarjen e vatrës

Vatra e zjarrit në zonën e mbrojtur në Liqenin e Dushkut është më agresive se të tjerat. Qarku Elbasan është një ndër më të prekurit...

LAJM I FUNDIT/ Ministria e Mbrojtjes thirrje urgjente banorëve në Nartë, Skënderbegas dhe Delvinë: Largohuni nga banesat

Për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarreve në Nartë, Skënderbegas (Gramsh) dhe Delvinë, u bëjmë thirrje banorëve të ndjekin udhëzimet e ekipeve të...