Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të SHÇBA Durrës, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Golemi”, në funksion të procedimit penal për veprën penale të “Korrupsionit pasiv“.
”Pas një hetimi duke aplikuar metoda speciale të hetimit, drejtuar nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, u dokumentua me prova ligjore veprimtaria e kundraligjshme e punonjësit të Policisë, I.D. Gjatë ushtrimit të detyrës, ai i ka kërkuar një shtetasi një shumë prej 4,000 eurosh me qëllim favorizimin për mos arrestim në flagrancë të djalit të tij. I riu kishte kundërshtuar Patrullën e Policisë, duke thyer Aktin Normativ gjatë pandemisë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Arrestimi i tij u krye nga SHÇBA dhe SPAK.
Ai dyshohet se duke keqpërdorur atributet që i jep detyra dhe funksioni, ka konsumuar veprën penale të “Korrupsionit pasiv”.
Mbi bazën e regjistrimit të procedimit penal, në momentin e shkëmbimit të vlerave monetare të kërkuara nga specialisti i Hetimit të Krimeve, në kushtet e flagrancës, oficerët e Policisë Gjyqësore të SHÇBA-së arrestuan N/Komisarin I.D., si dhe sekuestruan si prova materiale vlerën monetare prej 4 mijë eurosh dhe celularin e tij.
Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar.