Vendi ynë do të jetë me vranësira të shumta, të cilat do të sjellin reshje shiu në pjesën me të madhe të territorit dhe reshje dëbore në zonat malore gjatë paradites.

Ndërsa gjatë mesditës do të ketë përmirësim të përkohshëm, pasi reshjet rikthehen në mbrëmje, ku më të  theksuara do të jenë në zonat veriore dhe qëndrore.

Sipas MeteoAlb, temperaturat e ajrit do të rriten në mëngjes dhe në mesditë, duke luhatur vlerat ditore nga -1°C deri në 13°C.

Era do fryjë mesatarisht me shpejtësi 45 – 50  km/h nga drejtimi jugor duke krijuar ne det dallgëzim mbi 4 ballë.

Ndërkohë metereologët britanikë kanë dhënë alarmin se stuhia “Filomena” që ka goditur Spanjën pritet të mbërrijë në Shqipëri në javën e dytë të janarit.

Sipas tyre, gjatë javës së dytë të janarit vendet e Ballkanit do të përballen me reshje të mëdha shiu dhe dëbore, ku fillimisht do të preken Shqipëria dhe Greqia.

“Shi më i madh është parashikuar gjatë dy ditëve të ardhshme për pjesë të Italisë dhe Ballkanit. Stuhia po shkon drejt lindjes në Greqi dhe Shqipëri dhe gjithashtu po shtrihet në pjesën veriore, me temperatura të tepër të ulëta në pjesë të Rusisë, Polonisë dhe Gjermanisë”.

Prej ditësh situata në Madrid paraqitet shumë e rënduar, pasi trashësia e dëborës ka arritur në disa dhjetra centimetër, më e madhja në 40 vitet e fundit.

Ndërkohë edhe vendi ynë është në një situatë të rënduar për shkak të reshjeve të dendura të shiut që kanë përmbytur sipërfaqe të mëdha tokash.