Sekuestrohen rreth 38 kg marijuanë në Fushë Krujë. Në pranga ka rënë poseduesi i lëndës narkotike, P. L., 44 vjeç, banues në Tiranë.

Arrestimi i tij u bë gjatë finalizimit të operacionit policor të koduar “Nënkalimi”.

“Në aksin rrugor Laç-Fushë Krujë, në vendin e quajtur “Nënkalimi i Fushë Krujës”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar mjetin tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin P. L. Gjatë kontrollit në bagazhin e mjetit u gjetën rreth 38 kg lëndë narkotike marijuanë”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike, automjeti “Volkswagen” dhe 2 aparate celular.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.