Prej ditësh, programi kompjuterik izraelit Pegasus ka krijuar tensione ndërkombëtare diplomatike. Qeveria autoritare e kanë përdorur për të spiunuar, krerë shtetesh, qeverish dhe gazetarë. Po cila është historia e Shalev dhe Omri, themelues të NSO, agjencisë që shpërndan programin në fjalë dhe dyshimet për lidhjet me qeverinë e ish kryeministrit Netanyau. Nga vitet e gjimnazit në Haifa – i diplomua për teatër – kishte marrë me vete në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, oratorinë dhe aftësinë për të bindur gra të moshuara të blinin kremëra me kripë të Detit të Vdekur.
Të paktën kështu ka rrëfyer ai vetë gjatë një interviste. Por Shalev Hulios, nuk i mjaftonte ky aktivitet në qendrat tregtare amerikane, shpresonte në një ide që e do e pasuronte, nga ato që të bëjnë milioner. Në një bar në Haifa, qytet ku ka lindur dhe është rritur, fantazonte me shokun e fëmijërisë, Omri Lavie, për krijimin e një shoqërie për të shitur produkte që spektatorët i shihnin të reklamuara gjatë serialeve televizive. Duke përdorur si shembull dhe serialin “Sex and the City”. Por nuk funksionoi.
Përpjekja e dytë ishte e suksesshme, më shumë se ç’pritej madje. Ata vetë pranojnë se nuk e kishin kuptuar që në fillim potencialin e asaj gjetjeje. Në vitin 2008 telefonat celularë ishin në duart e të gjithëve, dhe pak ishin ata që dinin t’i menaxhonin plotësisht. Shalev dhe Omri krijojnë një sistem për të dërguar një lidhje tek celularët, që lejon teknikët e tyre që të ndërhyjnë duke ndihmuar përdoruesit për zgjidhjen e mistereve teknologjike.
Produkti i këtij sistemi informatik quhet Pegasus, i cili bëri milionerë dy ortakët dhe i vështirësoi jetën aktivistëve dhe gazetarëve të pavarur në të gjithë botë. Hetimi, i publikuar dhe nga Uashington Post këto ditë, në bashkëpunim me 15 organizata ndërkombëtare gazetarie – dëshmon se programi kompjuterik, i aftë për të marrë nën kontroll telefonin celular – është përdorur në mënyrë të paligjshme nga qeveri të vendeve të ndryshme. Hetimi nis nga 50 mijë numra telefoni, një listë e marrë dhe e analizuar nga Amnesty International si dhe nga francezja “Histori të Ndaluara”.
Grupi NSO i themeluar nga Hulio dhe Lavie mund të eksportojë produkte vetëm pas autorizimit të ministrisë izraelite të mbrojtjes. Në këtë rast bëhet fjalë për negociata tregtare private. Por Uashington Post ka marrë citimet e agjentëve sekretë europianë dhe amerikanë të cilët janë të bindur, se shoqëria i jep disa të dhëna dhe qeverisë izraelite. Sidomos për ata që përdorin këto produkte dhe informacionet që mbledhin.
Një akuzë kjo e hedhur poshtë nga ministria e mbrojtjes në Izrael. Nuk është hera e parë që ndjekësit dixhitalë zbulojnë gjurmë të Pegasus në telefonat celularë të opozitarëve të spiunuar nga regjimet. “Citixen Lab” i krijuar në universitetin e Torontos nga Ron Deibert, ka analizuar dosjen ligjore që WhatsApp prezantoi në gjykatë dy vjet më parë: shoqëria – pronë e Facebook akuzon NSO-në se ka hakeruar 1400 përdorues të këtij aplikacioni popullor për shkëmbimin e mesazheve.
Hulio është ende ai djaloshi që flet shumë, dhe është ai që i përgjigjet akuzave. Për revistën izraelite “kalkalist” ai shpjegon se 50 mijë është një numër shumë i madh: “Objektivat e klientëve tanë janë 100 në vit. Në të gjithë historinë e NSO-së nuk është e mundur që të arrihet ajo shifër”. Ai përsërit se Pegasus i shitet shërbimeve sekrete dhe forcave të sigurisë për të luftuar kriminalitetin dhe grupet terroriste. E përditshmja Haaretz, është përqendruar pikërisht tek lista e klientëve: Arabi Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, hungaria, Indi, Meksikë, Ruandë, Marok.
vende me të cilat ish kryeministri Benjamin Netaniau është përpjekur të përforcojë marrëdhëniet diplomatike. Gazeta del pikërisht në të njëjtin përfundim të Ronen Bergman, ekspert i shërbimit të inteligjencës. Ky i fundit do të shprehej pak ditë më parë për Nju Jork Tajms: “Izraeli ka inkurajuar në mënyrë sekrete por dhe ka autorizuar shitjen e materialeve që mundësojnë hakerimin. Kjo pavarësisht dënimeve ndërkombëtare për abuzimet që kryhen nga këto qeveri”.
Prej disa ditësh, që nga momenti kur Uashington Post dhe 15 media të tjera ndërkombëtare, publikuan në faqet e tyre rezultatet e një hetimi të përbashkët, lista e personaliteteve politike të kontrolluara nga programi kompjuterik Pegasus, është bërë shumë e gjatë. Nga Franca në Itali, duke kaluar në Afrikën e Jugut dhe Pakistan, deri në Meksikë, del një listë me 50 mijë numra telefoni që kanë qenë nën përgjim. Dhe nga kjo listë rezultojnë emrat e 180 reporterëve, por ka dhe aktivistë, mbrojtës të të drejtave të njeriut, por sidomos krerë shteti dhe qeverish. Makron, Prodi, presidenti i Afrikës së Jugur Siril Ramaphosa, ai i Meksikës Obrador dhe irakeni Baram Salih.
Kryeministrat e Pakistanit, Egjiptit, Marokut, madje dhe mbreti i Marokut Muhammad IV: një listë e gjatë që alarmon në nivel botëror dhe që rihap debatet për sigurinë kibernetike. Të paktën, vendos në tryezën e debateve problemin e përdorimit të këtyre programeve kompjuterike, të krijuara për të luftuar terrorizmin dhe për të mbrojtur vendet nga sulmet kibernetike. Dhe është pikërisht në këtë pikë që këmbëngul dhe qeveria izraelite. Pegasus është krijuar nga shoqëria izraelite NSO. Gjatë një konvente për këtë temë në Tel Aviv, kryeministri i Izraelit Benet, deklaroi se sulmet kibernetike përbëjnë një nga kërcënimet më të mëdha për sigurinë kombëtare dhe për të gjithë botën. Ai theksoi se vendi është i detyruar të mbrohet dhe për këtë arsye është krijuar një Ent kombëtar të mbrojtjes nga sulmet kibernetike. Një Ent që do të monitorojë infrastrukturën kombëtare izraelite: ujin, energjinë elektrike dhe kompanitë private.
Benet nuk iu referua cështjes së NSO-së. Por tha se aftësitë kibernetike të zhvilluara në Izrael mund të shmangin sulme që kryhen nga vende negative kundër vendeve të treta. Ai theksoi se bashkëpunimi është i rëndësishëm për të siguruar një mbrojtje të përgjithshme të internetit: I ftojmë vendet e mira në të gjithë botën që të bashkojnë forcat me ne për të krijuar një mbrojtje globale të internetit. Por një reagim i parë zyrtar nga Izraeli erdhi nga ministri i mbrojtjes Beni Gantz. Ai u shpreh se Izraeli është një demokraci liberale që kontrollon eksportimet e produkteve kibernetike sipas standardeve ndërkombëtare. Ai shtoi se vendi lejon eksportimet vetëm për qeveritë dhe vetëm për objektiva të ligjshme, për të luftuar krimin dhe terrorizmin. Vendet të cilat blejnë këto sisteme duhet të respektojnë kushtet e shitblerjes së këtyre produkteve.
Gantz theksoi duke iu referuar hetimit të publikuar nga mediat e huaja, se po studiohen informacionet që kanë dalë në pah. Sipas të përditshmes “Israel ha – Yom” ministria e mbrojtjes ka përfshirë një ekip ndërministror të verifikimit për akuzat që i janë bërë NSO-së. Kjo për të verifikuar nëse kompania ka respektuar kufijtë e vendosura nga ministria, si dhe për të vërtetuar nëse klientët e saj kanë përdorur në mënyrë jo të ligjshme produktet e saj. Duke parë bujën ndërkombëtare, gazeta thekson se ekipi në fjalë përfshin dhe përfaqësuese të këshillit për sigurinë kombëtare, të Mossad, ministrisë së jashtme; por dhe ekspertë të së drejtës ndërkombëtare. Sipas britanikes Gardian – pjesë e mediave që hetuan rastin – ishte qeveria e Ruandës që futi ë listë numrin e telefonit të presidentit të Afrikës së Jugut, Ramaphosa.
Por ky fakt nuk mjafton për të konfirmuar se telefoni i tij celular është hakeruar, si sqarojnë dhe analistët. Këta të fundit shprehen se duhet studiuar aparati i telefonit për të parë nëse ka ose jo një program spiunimi, që lejon marrjen e numrave të telefonit, mesazhe private, fotografi dhe video. Prania e numrit privat të telefonit të presidentit Ramaphosa në database e Pegasus vjen në një moment delikat për vendin, i cili u përball për një javë me trazira në dy provinca të vendit. Kjo për shkak të burgosjes së ish presidentit Jacob Zuma, i cili është dënuar me 15 vjet burg pasi u shpall fajtor për korrupsion. Mbështetësit e tij i vunë zjarrin rrugëve dhe objekteve si dhe vandalizuan pronat publike. 200 të vrarë, qindra arrestime dhe mijëra ushtarë në gatishmëri. Gjykatësit vendosën të shtyjnë procesin e radhës ndaj Zuma- s për korrupsion sërish, për shkak të valës së re të pandemisë së Kovid 19.
dhe për të shmangur trazira të reja. Mes personaliteteve të spiunuara, është dhe Romano Prodi, si raporton Uashington Post. Emri i ish kryeministrit italian hyn në grupin e më shumë se 10 mijë kontakteve që janë përdorur – kryesisht nga shërbimi i inteligjencës së Marokut – kundër kundërshtarëve dhe vendit rival Algjerisë. Mes tyre dhe presidenti aktual i këshillit europian Sharls Mishel, presidenti francez Makron, mbreti i Marokut, dhe persona të stafit të drejtorit të përgjithshëm të organizatës botërore të shëndetësisë. E përditshmja amerikane shkruan se Prodi është telefonuar tek numri që figuron në listën e numrave të spiunuar. Ai është përgjigjur por nuk ka dashur të komentojë. Emri i tij ndoshta mund të lidhet me emërimin e tij në vitin 2012, si i dërguar special në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Mishel ka qenë viktimë e spiunimit kur ishte ende kryeministër i Belgjikës. Mes 50 mijë objektivave të mundshme të të gjithë hetimit figurojnë dhe shtatë ish kryeministra, që sipas raportimeve kanë qenë pjesë e listës në kohën që ende ishin në pushtet: Ahmed bin Dagr i Jemenit, libanezi Saad Hariri, Rugunda i Ugandës, francezi Édouard Philippe, kazaku Sagintayev dhe algjeriani Bedoui. Maroku shprehu habinë e madhe për publikimin e akuzave të gabuara. Në një deklaratë zyrtare për mediat thuhej se Maroku është një vend që qeveriset nga shteti i së drejtës që garanton ruajtjen e sekretit për komunikimet personale me kushtetutë.
Nga ana e saj kompania NSO, u mbrojt duke thënë se lista prej 50 mijë numrash është një listë numrash që kushdo mund ta kërkojë në një sistem me burime të hapura për arsye të ndryshme nga monitorimi nëpërmjet Pegasus. Fakti që një numër figuron në atë listë nuk tregon në asnjë mënyrë se ai është përzgjedhur për t’u spiunuar nëpërmjet Pegasus. Ndërkohë qeveria e Luksemburgut i shkruajti një letër të hapur shoqërive të lidhura me NSO group të pranishme në vend. Në letër kërkohet që ato të kenë parasysh se vendi aplikon të gjitha detyrimet në fushën e kontrollit të eksportimeve, dhe nuk toleron që veprime të tilla – në territorin e Luksemburgut – të shkelin të drejtat e njeriut.
Në letrën e firmosur nga ministri i jashtëm Jean Asselborn, shprehet shqetësim i madh për situatën e krijuar. Kreu i diplomacisë shpjegon se qeveria po ndjek me vëmendje ngjarjen dhe iu kërkon drejtuesve që të distancohen nga cdo veprim që mund të përbëjë një akt të paligjshëm. Si dhe iu kërkohet të mbajnë qëndrimin e duhur. Prokuroria e Parisit ndërkohë ka nisur hetimet, ndërsa komisioneri për drejtësinë në Bashkimin Europian, Diddier Reynder, konfirmoi hetime informale për zbardhjen e ngjarjes, që në BE shohin të përfshirë qeverinë e Hungarisë.
Një skandal. Që sjell në vëmendje cështjen ‘Echelon’, syrin që spiunonte cdo lëvizje, fjalë dhe mendim. Ishte fundi i viteve ’90, kur gazetat e të gjithë botës raportuan për një rrjet spiunazhi të ndërtuar gjatë luftës së ftohtë nga Shtete e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Australia, Kanadaja dhe Zelanda e Re. Baza shumë sekrete, të vendosura në tre kontinente, të afta për të përgjuar të gjitha bashkëbisedimet, fakset, e-mail, në të gjithë botën.
shumë të fuqishëm që përdornin inteligjencën artificiale për të marrë nga miliarda fjalë, cdo gjë që konsiderohej interesante, rrjeti i spiunimit global i njohur me emrin Echelon pushtoi titujt e gazetave falë një raporti të parlamentit europian dhe rasti nisi të ndërtohej. Të dhënat iu dhanë hetuesve për të marrë vesh nëse rrjeti i përgjimeve kishte pasur një rol ë misterin e Ustikës dhe në cështjen Moro; hetime të prokurorive të Milanos dhe Romës për të kuptuar nëse aktiviteti i spiunazhit ishte i ligjshëm apo jo. U hartua dhe një rregullore e re e komitetit parlamentar për shërbimet sekrete dhe për garantimin e privatësisë.
Hipoteza e marrëveshjeve dypalëshe sekrete ishte në të vërtetë e vetmja që mund të shpjegonte misterin për të cilin asnjë prej 15 vendeve të Bashkimit Europian – duke e ditur që po spiunoheshin – nuk e denoncuan asnjëherë publikisht Ekelon dhe as nuk i kërkuan shpjegime Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E vëretta nuk u mësua asnjëherë. Nuk u mor vesh asnjëherë nëse Echelon ekzistonte – ekziston akoma – apo nëse ishte një fantazi e shkrimtarëve, gazetarëve dhe aktivistëve politikë.
Rreth Ekelon nuk ka pasur asnjëherë përgënjeshtrime, as zyrtare. As nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe as nga ana e Britanisë së Madhe. Mos përgënjeshtrimi – thonë më skeptikët – duhet të mjaftojë si provë. Por ndoshta kjo është një histori tjetër, të cilën ia vlen ta kujtosh në këto momente./ Abcnews.al