2 C
Elbasan

Shqipëria mban zgjedhjet e 10-ta parlamentare, si shkoi fushata, ”kuajt e betejës” dhe kush largohet në rast humbjeje

Shqipëria ka hyrë zyrtarisht sot në ditën e heshtjes zgjedhore, ku të gjitha palët politike e kanë të ndaluar mbajtjen e mitingjeve, dhe deklaratat në media dhe në rrjetet sociale që lidhen me bindjen e elektoratit për të votuar numrin e tyre në fletën e votimit.

Në rast të shkeljes së heshtjes zgjedhore forcat politike do të përballen me një gjobë prej 500 mijë lekësh, ndërkohë që ndëshkime do të ketë dhe për mediat, në rast se vendosin që të transmetojnë kronika nga thirrjet e partive.

Këto janë zgjedhjet e 10 parlamentare që mbahen në vendin tonë, që nga nisja e pluralizmit politik, ku njihen vetëm 2 raste të zgjedhjeve të parakohshme, ato që janë mbajtur në vitin 1992 dhe 1997.

Ndërkohë 7 procese normale zgjedhore janë (1991, 1996, 2001, 2005, 2009, 2013 dhe 2017). Vetëm zgjedhjet e vitit 1991 kanë qenë në mazhoritar. Zgjedhjet 1992-2005 janë zhvilluar me një sistem miks, 100 (115) zona në mazhoritar dhe 40 (25) mandate në proporcional.

Me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 u vendos kalimi në sistemin proporcional rajonal, me lista të mbyllura dhe me prag minimal zgjedhor 3%. Me ndryshimet kushtetuese të vitit 2020 u vendos ulja e pragut elektoral në 1% dhe aplikimi për herë të parë i listave të hapura proporcionale.

Numri i deputetëve ka ndryshuar vetëm në dy raste: më 1991 u ruajt numri i deputetëve i legjislaturave të fundit të periudhës komuniste (250 deputetë), si dhe më 1997 u ruajt sistemi i vitit 1996 me rritjen e numrit të deputetëve në proporcional nga 25 në 40 vende, për pasojë, parlamenti kishte 155 deputetë.

Prej ’96 numri i ulëseve në Kuvend është 140, ndërkohë që në këtë vit janë 12 parti dhe koalicione që garojnë në 12 qarqe të vendit, dhe në vetëm 4 prej tyre garojnë si të pavarur kandidatët që vijnë nga radhët e Vetëvendosjes, dhe Elton Debreshi, që vjen nga radhët e minatorëve dhe kandidon në qarkun e Dibrës.

Nëse kthehemi pas në kohë pjesëmarrja në zgjedhje ka ndryshuar mjaft, në krahasim me vitet e para të demokracisë. Në zgjedhjet e viteve 1991-1992, kur shteti kishte të dhëna të sakta të numrit të qytetarëve me të drejtë vote, janë regjistruar edhe shifrat më të vogla të numrit të zgjedhësve në listë dhe përqindjet më të larta të pjesëmarrjes në votime.

Gjatë viteve raportet janë përmbysur. Në zgjedhjet e fundit parlamentare më 2017 pjesëmarrja në zgjedhje ishte 46,76%. Nga mbi 3.4 milionë qytetarë të regjistruar në listën e zgjedhësve votuan 1.613.810 zgjedhës. Sipas INSTAT numri i popullsisë më 2017 ishte 2.876.591, shifër shumë më e vogël sesa numri 3.452.324 i zgjedhësve në listë.

Si vijnë forcat politike në këto zgjedhje

Partia Socialiste e Edi Ramës kërkon besimin e elektoratit për të marrë mandatin e tretë qeverisës, gjë e cila nuk ka ndodhur asnjëherë më parë në këto 30 vite të tranzicionit shqiptar që një forcë politike të qeverisë më shumë se 8 vite.

Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama është akuzuar gjithnjë e më shumë për sjelljen e tij autokratike, në përplasje të vazhdueshme me mediat dhe opozitën, ndërkohë që vendi ende nuk ka të ndërtuara të gjitha organet e drejtësisë, që të mundësonin një balancim të pushteteve. Për 2 vite Kuvendi ishte i gjithi në dorë të socialistëve, pas vendimit të paprecedentë të opozitës për të djegur mandatin dhe pët tu rikthyer në Kuvend.

25 Prilli do të jetë një test më vete dhe për Lulzim Bashën, i cili në këtë fushatë ka zgjedhur që kostot ti marrë përsipër vetë të gjitha, pa asnjë kandidat që fliste në takimet me simpatizantët nga një shesh i qyteteve në një tjetër.

PD që ai drejton në këto zgjedhje në ndryshim nga Rama, që garon i vetëm, mori në koalicion me lista të përbashkëta të gjithë aletët e viteve të vështira në opozitë, duke iu garantuar krerëve të këtyre partive më të vogla, një vend të sigurt në listat shumëemërore.

Edhe pse me LSI kanë bërë një marrëveshje parazgjedhore, palët e kanë bërë të qartë, se nëse PD merr e vetme 71 mandate, atëherë nuk ka pse të kushtëzohet një marrëveshje pazgjedhore.

Kush ikën dhe kush qëndron në rast fitoreje apo humbje

Kryeministri Edi Rama e ka thënë prerë në këto dalje të fundit të tij në ekran, se në rast se PS nuk i merr 71 mandate ai nuk do të tentojë që të bëjë koalicione me manovra, dhe do të largohet dhe nga drejtimi i PS-së, ndoshta pas një periudhe të shkurtër kohe, sa strukturat të bëhen gati për pasardhësin e tij.

Nga ana tjetër Lulzim Basha nuk ka preferuar që ta ketë si opsion humbjen, duke dhënë garanci se koalicioni që ai drejton do të marrë shumicën. Në rast humbje padyshim që pozicioni i tij do të diskutohej seriozisht, pasi këto do të ishin zgjedhjet e dyta që ai humbiste në krye të PD-së, pasi pasoi liderin historik të demokratëve, në vitin 2013.

Si nisi dhe përfundoi fushata elektorale

Nën kushtet e një viti aspak të zakonshëm pandemik, fushata e PD-së dhe e PS-së nisi me takime të vogla, për t’u mbyllur me mitingje madhështore në sheshet kryesore të vendit. Fillimisht ishin socialistët ata që sulmonin kundështarët e tyre se po përhapnin Covidin me mitingjet e tyre, në një kohë që vendi kishte nisur procesin e vaksinimit masiv.

Por me kalimin e ditëve, duket se Edi Rama u ndje i lodhur nga takimet virtuale, dhe nisi ato masive, me ndryshimin e vetëm se mbështetësit i ulte në karrige për të krijuar idenë e distancës, duke shfrytëzuar dhe hapësirat publike si sheshet apo stadiumet.

Nga ana tjetër takimet e Lulzim Bashës ishin pothuajse njësoj, të shpejta, në lëvizje, nga një makinë me karroceri ku kryedemokrati iu drejtohej qytetarëve, për të krijuar dhe idenë e lëvizjes dhe të ndryshimit.

Edhe pse në ditët e fundit të fushatës Edi Rama zbuti tonet dhe pranoi idenë e një bashkëpunimi pas zgjedhor me Lulzim Bashën, edhe në këto zgjedhje nuk mundëm të shihnim një debat televiziv mes kundërshtarëve.

Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga Lulzim Basha për një debat televiziv, Rama jo vetëm që e refuzoi, por edhe kandidatët e tij e kishin të ndaluar, që të ishin në një studio televizive në të njëjtën kohë me kandidatët e opozitës, duke mbetur shumë pas në këtë aspekt, edhe nga vende të rajonit, ku ka një klimë ballafaqimi.

Kali i betejës për secilin

Edi Rama e ndërtoi të gjithë këtë muaj fushate duke sulmuar kundërshtarët, e veçanërisht Ilir Metën dhe Sali Berishën që sipas tij komandojnë porsi një kukull Lulzim Bashën, që në sytë e socialistit në këto zgjedhje kishte marrë rolin e dhëndrit të buzëqeshur.

Karta e përdorur nga Rama për të bindur shqiptarët që ta besojnë për një mandat të tretë, ishte vaksinat që mori nga Kina, në mënyrë të fshehtë dhe aspak transparente, dhe procesi i rindërtimit, që në fakt mbart me vete shumë pikëpyetje për menaxhimin e fondeve.

Nga ana e tij Lulzim Basha u mbështet në një plan ekonomik, i cili premton risjelljen e taksës së sheshtë prej 9%, frenimin e emigrimit masiv të të rinjve, por edhe ndihmën për shtresat në nevojë. Sipas PD paratë për këtë plan të tyre gjenden në rast se shteti heq dorë nga korrupsioni dhe favorizimi i oligarkëve, pikë e cila ka qenë shumë e përmendur për qeverisjen e Edi Ramës.

Sa qytetarë shqiptarë kanë të drejtë zgjedhjeje

Nga të dhënat e gjeneruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile të drejtën e votës e kanë 3,588,869 shtetas shqiptarë.

3,588,869 shtetas shqiptarë me të drejtë vote

50.5 % e zgjedhësve janë meshkuj dhe 49.5 % janë femra

107,024 zgjedhës votojnë për herë të parë

1,098 shtetas nuk janë papërfshirë në lista për shkak të dekriminalizimit

5,199 është numri i qendrave të votimit

Procesi i votimit pritet që të nisë në të gjithë vendin nesër nga ora 07 deri në 19, ku për herë të parë identifikimi i votuese do të bëhet në mënyrë elektronike, duke shmangur edhe fenomene të tilla si mbushja e kutive.

(E.K/Faxweb.al)

Lajme të tjera

Vështirësohet qarkullimi në aksin Tiranë-Elbasan, dëbora arrin në 3-5 cm pranë tunelit të Krrabës

Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin edhe në segmentin rrugor Krrabë-Tyneli i Krrabës -Dopaj i Elbasanit. Pas orës 20:00, si rezultat i fillimit të rënies me...

EMRI/ Vritet me armë zjarri 56 vjeçari

Një 56 vjeçar është vrarë me armë zjarri mbrëmjen e kësaj të diele pranë “Pallatit me Shigjeta” në Tiranë. Bujar Nasufi ka qenë në...

Moti i keq, pezullohet mësimi në disa shkolla në Kukës

Pezullohet mësimi në disa shkolla të Kukësit për shkak të motit të keq me dëborë. Zyra vendore e arsimit parauniversitar në Kukës njofton se mësimi...

Kristjan Asllani: Më karikojnë kritikat, jam mësuar! Hoqa dorë nga rrjetet sociale

Interi fitoi 0-1 në udhëtim me Venezian në udhëtim. Dueli u vendos nga goli i Darmian, i nisur nga këmbët e Asllanit me një...

Gramsh/Stuhi dëbore, bllokohet fshati Rovje

Reshjet intensive të dëborës dhe stuhitë e fuqishme gjatë natës kanë krijuar vështirësi të mëdha në qarkullim në zonat malore të rrethit të Gramshit....

Fluks automjetesh në aksin Përrenjas-Qafë Thanë, moti i keq paralizon qarkullimin, shoferët ndalojnë mjetet

Reshjet e dendura të dëborës, kanë shkaktuar probleme të shumta në qarkullim, kryesisht në aksin Përrenjas-Qafë Thanë.Shoferët përballen me vështirësi në lëvizje, madje edhe...