Meterologia Lajda Porja nga MeteoAlb, për emisionin Ditë e Re, në RTV Ora foli për parashikimin e motit dhe temperaturat në javën e parë të pranverës.

Temperaturat do të jenë tipike pranverore, ndërsa fundjava parashikohet me reshje shiu.

Gjithashtu do të kemi edhe një rikthim të reshjeve të borës në zonat malore gjatë fundjavës.

Në javën e parë të pranverës parashikohet një mot i qëndrueshëm, duke filluar nga dita e sotme e deri ditën e premte.

Pra, nga e hëna në të enjte moti do të jetë kryesisht i kthjellët, vranësirat do të jenë shumë pak të pranishme dhe më tepët në zonat malore. Sot parashikohet të ketë edhe ekstremi jugor vranësira, por nuk parashikohet të kemi reshje, i gjithë territori parashikohet të jetë pa reshje.

Krahasuar me fundjavën e shkuar, ku u shënuan vlera vërtet shumë të larta, për zona të veçanta edhe 22 gradë, ky mëngjes dhe kjo ditë e sotme ka sjellë një rënie të temperaturave dhe një ndryshim të masave ajrore.

Javën e shkuar masat ajrore ishin me origjinë afrikane, aktualisht nuk i kemi ato masa, ato janë tërhequr drejt Afrikës.

Masat ajrore që janë prezente janë veri-perëndimore, këto masa janë më të freskëta.

Mëngjeset do të jenë më të freskëta krahasuar me javën e kaluar, temperaturat -4, -5 gradë të shënuara kryesisht në veri-lindje, ndërkohë në qarkun e Korçës vlera është -1, -2, parashikohet që të kemi një rritje të temperaturave. Kështu në zonat malore temperaturat do të jenë në vlerat 13 gradë, ndërkohë pritet që në perëndim temperaturat të luhaten nga 16, 17 gradë ku pritet të shënohet në qytetin e Sarandës.

Dita e premte dhe fundjava parashikohet të jetë me vranësira, që do të sjellë edhe reshje shiu , si dhe reshje bore në zonat malore.

Pritet që ditën e premte dhe në fundjavë të kemi dhe rënie të temperaturave, duke bërë që zonat malore të jenë në vlera negative dhe të shfaqen sërish reshjet e dëborës.

Parashikohet që reshjet të jenë në sasi të dobëta dhe lokalisht me intensitet mesatar.

Nuk përjashtohen reshjet edhe në ultësirën perëndimore, megjithëse prite të qëndrojnë të premten, të shtunën dhe të dielën.

Vlerat termike dhe reshjet janë një situatë normale për marsin, reshjet parashikohen të jenë të pranishme. Do ketë reshje në pjesën më të madhe të vendit, por nuk parashikohet tejkalim i sasisë së reshjeve në krahasim me muajt e kaluar, janar dhe shkurt.

Muaji i pranverës do të jetë 5-6 ditë me diell, 2-3 ditë me shi.

Java tjetër sërish me diell, përsëri do të kemi shkëputje, pra do të kemi një mars të alternuar me diell dhe reshje.