17.1 C
Elbasan

Vaksina rriti shpresat për normalitet, pengesat që mund të hasë popullsia për t’u vaksinuar

Kompania farmaceutike amerikane Pfizer dhe laboratori gjerman Biontech kanë njoftuar se, sipas testeve të para klinike, vaksina e tyre kundër covid-19 ka rezultuar të jetë më shumë se 90 përqind e efektshme. Më 16 nëntor, kompania bioteknike amerikane Moderna njoftoi se vaksina e saj eksperimentale ishte 94 për qind efektive.

Në të gjithë botën, lajmi ka rritur shpresën se jeta së shpejti do të kthehet në normalitet. Kjo shpresë, megjithatë, mund të jetë jetëshkurtër. Njoftimi bëri që qeveritë të vihen në garë për të pretenduar aksesin në vaksinë, duke realizuar një parashikim të zymtë: vendet e pasura do të monopolizojnë dozat e para të çdo vaksine të efektshme.

Covax, programi global i shpërndarjes së vaksinave i udhëhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Cepi (një koalicion për parandalimin e epidemive me qendër në Norvegji, financuar nga fondacioni Bill dhe Melinda Gates dhe disa qeveri) dhe aleanca  Gavi (ku janë anëtare disa vende në zhvillim), u krijua për të shmangur këtë mundësi. Covax duhet të sigurojë që të gjitha vendet të kenë qasje në dozat e vaksinës. Ajo gjithashtu lindi për të parandaluar që vendet e pasura të përvetësojnë vaksinën. Më shumë se 180 vende janë bashkuar me këtë projekt deri më tani, duke përfaqësuar pothuajse dy të tretat e popullsisë së botës. Midis këtyre janë 94 shtete me të ardhura të larta, secila prej të cilave ka marrë angazhime detyruese. Ata të gjithë do të kenë akses në vaksinat në listën e Covax dhe secili do të paguajë dozat e veta. Nga ana tjetër, 92 vendet me të ardhura të ulëta do t’i marrin ato falas.

Plani i Covax është shpërndarja e vaksinës në dy faza. Në të parën, të gjitha vendet pjesëmarrëse duhet të marrin doza në proporcion me popullsinë e tyre, me vaksina të mjaftueshme për të imunizuar 3 përqind të njerëzve më të rrezikuar, veçanërisht personelin mjekësor dhe atë të kujdesit. Më pas, doza të tjera do të shpërndahen për të moshuarit dhe njerëzit me sëmundje të tjera, derisa të imunizohet 20 përqind e popullsisë së secilit vend. Në fazën e dytë, vaksinat do të shpërndahen në vende të caktuara, bazuar në shpejtësinë me të cilën përhapet virusi, përhapjen e patogjenëve të tjerë (siç janë fruthi) dhe riskut të mbingarkesës në spitale. Duke pasur parasysh kufizimet ekzistuese – vaksina e Biontech dhe Pfizer, për shembull, duhet të administrohet dy herë me tre javë distancë, dhe më së shumti vetëm 1.35 miliardë doza mund të prodhohen deri në fund të vitit 2021 – është e vështirë të imagjinohet një sistem më i drejtë.

Rreziku i monopolit

Sidoqoftë, ekzistojnë disa pengesa. Së pari, fakti që Shtetet e Bashkuara, ndryshe nga Kina, e cila e bëri këtë gjë në tetor, nuk janë bashkuar ende me Covax. Sigurisht, askush nuk u befasua nga refuzimi i Donald Trump, por ka arsye të mira për të shpresuar se Presidenti i ardhshëm Joe Biden do të jetë më i disponueshëm. Ndërkohë, Kina ka punuar në mënyrë agresive dhe të pavarur për të zhvilluar vaksinën e vet: të paktën katër kandidatë të mundshëm janë tani në testet e fazës së tretë.

Ekziston edhe një problem tjetër: vendet që i bashkohen Covax po konkurrojnë gjithashtu me njëri-tjetrin për të siguruar marrëveshje dypalëshe me kompanitë farmaceutike. Mbretëria e Bashkuar ka rezervuar dyzet milion doza të vaksinës së Biontech-Pfizer; Bashkimi Evropian ka përfunduar një marrëveshje për një maksimum prej treqind milion dozash; Shtetet e Bashkuara, me një popullsi prej 328 milion, kanë porositur njëqind milion doza dhe kanë të drejtë të blejnë pesëqind milion të tjera, një objektiv kaq i lartë sa të sugjerojë se është një përpjekje për të monopolizuar tregun. Brazili – i cili është një anëtar i Covax – është gjithashtu në bisedime me Pfizer. Dhe e njëjta gjë është e vërtetë për shumë vende të tjera.

Disa ditë pas njoftimit, Pfizer u ka shitur më shumë se 80 përqind të dozave që do të jetë në gjendje të prodhojë deri në fund të vitit të ardhshëm, qeverive të shteteve ku jeton 14 përqind e popullsisë globale. Në praktikë, nëse kjo është vaksina e parë efektive që del në treg, shumica e popullsisë së botës nuk do të jetë në gjendje ta bëjë atë.

Ka vaksina të tjera kandidate: aktualisht më shumë se dyqind, nga të cilat rreth pesëdhjetë janë në prova klinike. Qeveritë e vendeve të pasura tashmë kanë lidhur marrëveshje për qasje me përparësi në vaksinat e zhvilluara nga, ndër të tjera, Moderna, Johnson & Johnson, AstraZeneca.  Padyshim që vendet e varfra nuk e kanë këtë mundësi.

Një pandemi mund të kapërcehet vetëm kur mposhtet kudo. Adoptimi i një sistemi “shtet pas shteti” është joracional. Megjithatë, kjo është pikërisht ajo që po ndodh. Nëse nuk ndryshojmë kurs, aparteidi global i shëndetit do të hedhë rrënjë gjithnjë e më shumë, duke çuar pabarazitë në lartësi të reja. Dhe pandemia do të jetë ende këtu. Thjesht do t’u kemi shtuar probleme të reja atyre që nuk kemi mundur t’i zgjidhim. /bota.al

Lajme të tjera

Zjarr në një pallat në Lushnjë, banorët bllokohen brenda! Katër persona dërgohen në spital

Një zjarr ka përfshirë një pallat në qytetin e Lushnjës këtë mbrëmje, duke rrezikuar banorët.Paraprakisht raportohet se katër persona janë dërguar në spital. Në...

Shpërthimi me lëndë plasëse në Fushë Kuqe/ Policia gjen gëzhoja plumbash pranë banesës, vijojnë hetimet për ngjarjen

Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes së ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin...

Pse kushton kaq shumë Birkin?

Çanta Birkin, një nga simbolet më të njohura të luksit, u krijua në vitin 1984 pas një takimi rastësor mes aktores Jane Birkin dhe...

Elbasan – Fermerët e Selitës në vështirësi, produktet po i shesin nën kostot e prodhimit

Zona e Selitës në Elbasan po shpopullohet me ritme të shpejta, ndërsa shkak për këtë është bërë mungesa e mbështetjes nga shteti. Selita ka...

ZYRTARE/ Asllani bëhet “dem”, prezantohet te Torino. Sylvinho fton Shpendin në Kombëtare

Nga Italia, trajneri i Torinos, Marco Baroni, zbulon se Ardian Ismajli nuk është ende gati, rikthimi i tij në fushën e lojës pritet të...

Apeli i 1500 artistëve: Gal Gadot e Gerard Butler të përjashtohen nga Bienalja e Venecias, kanë mbështetur gjenocidin në Gaza

Një ftesë e qartë për të tërhequr “ftesat e pjesëmarrjes në festival të Gerard Butler, Gal Gadot dhe çdo artisti apo të famshmi që...