Zbardhen detaje të reja nga vrasja e Behar Sofisë, ngjarje e ndodhur mëngjesin e djeshëm në afërsi të Piramidës në Tiranë.
Siç mëson Ora News, pasditen e djeshme, policia ka marrë në pyetje familjarët e 66-vjeçarit.
Burimet bëjnë me dije se ata kanë mohuar të kenë patur konflikte apo kërcënime kohët e fundit.
Familjarët: Behari doli të pinte kafe, më pas do të blinte diçka dhe do të kthehej në banesë. Behari, kur doli, nuk na tha se do të takonte njeri.
Nga kqyrja paraprake që i është bërë celularit të viktimës, nuk janë gjetur biseda me persona të dyshimtë, përveç familjarëve.
Deri tani janë të shoqëruar të paktën 10 persona, të gjithë familjarë dhe të afërm të viktimës dhe asnjë person i dyshuar.
Sofia u qëllua me dy plumba teksa po ecte në këmbë buzë Lanës. Ai u transportua me urgjencë drejt spitalit por nuk mundi të mbijetonte.
Viktima njihej si person me aktivitet në disa biznese të cilave vite më parë ishin sulmuar me eksploziv në zonën e stadiumit dynamo në tiranë. Dëshmitarë të ngjarjes dhe policia thanë se 66-vjeçari sapo kishte dalë nga banesa e tij që ndodhet në zonën ku ndodhi atentati, në zonën pas ETC në momentin që është përballur me atentatorin.
Ky i fundit mendohet se ka qenë vrasës me pagesë pasi ka vepruar i maskuar duke qëlluar dy herë nga pas viktimën dhe më pas është larguar në këmbë drejt zonës së Taivvanit.
Dyshohet se viktima është vëzhguar për disa ditë me radhë pasi autori njihte mirë zonën dhe ka arritur të lëvizë në një itinerar që nuk ka kamera vëzhgimi.