Një shtetas është vënë në pranga nga policia e Durrësit nën akuzën e tregtimit të farave të bimës narkotike cannabis sativa.

Shtetasi me iniciale P., 37 vjeç, banues në Kavajë ka qenë i dënuar më parë  për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

37 vjeçari lëvizte si pasagjer me taksi për të humbur gjurmët, por është identifikuar nga seksioni i Narkotikëve dhe Forca e Posaçme Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.

“Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara se në një mjet taksi po udhëtonte si pasagjer shtetasi S. P., i cili kishte një sasi të konsiderueshme fara të bimës narkotike cannabis sativa me qëllim për ti tregtuar në Durrës, në vendin e quajtur “Rrotondo e Plepave”, kanë ndaluar mjetin në të cilin ndodhej ky shtetas” thuhet në njoftimin e policisë

Policia gjatë kontrollit fizik të shtetasit ka gjetur dhe sekuestruar rreth 2 kg fara të bimës narkotike cannabis sativa në dy kuti kartoni, ndërsa vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.